Presidenti Begaj: Teknologjia po, por mjekësia është mbi të gjitha besim te pacientët dhe përgjegjësi

Këtë të shtunë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, gjatë fjalës së tij në Konferencën XXII Kombëtare të Gastro-Entero-Hepatologjisë, theksoi rolin e pazëvendësueshëm të mjekut dhe rëndësinë e etikës në praktikën mjekësore,

Në fjalimin përshëndetës, Begaj e cilësoi konferencën si një hapësirë ku bashkohen ekspertiza, përvoja dhe pasioni i mjekësisë shqiptare, duke e konsideruar atë si një investim të drejtpërdrejtë në shëndetin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.

Të lidhura

None found

Gjithashtu, kreu i shtetit vlerësoi kontributin e figurave kyçe në themelimin dhe zhvillimin e kësaj fushe, ndërsa ndau edhe dimensionin personal të rikthimit simbolik në profesionin e mjekut, duke theksuar se mjekësia nuk është thjesht një zanat, por një mënyrë të menduari dhe përgjegjësi që e shoqëron individin gjatë gjithë jetës.

Duke u ndalur te sfidat aktuale, Presidenti Begaj, nënvizoi se sistemi shëndetësor mbështetet mbi profesionalizmin dhe integritetin e mjekëve, duke kujtuar rolin e tyre gjatë pandemisë COVID-19 si pikë referimi dhe burim besimi për shoqërinë.

Ai adresoi gjithashtu, debatin mbi ndikimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në mjekësi, duke theksuar se, pavarësisht zhvillimeve, vendimmarrja mbetet përgjegjësi e mjekut.

Sipas tij, teknologjia mund të ndihmojë dhe të analizojë të dhëna, por nuk mund të zëvendësojë dimensionin njerëzor të marrëdhënies me pacientin.

Më tej në fjalën e tij, Presidenti theksoi se etika dhe profesionalizmi mbeten busulla kryesore e mjekësisë, sidomos në fusha ku pacientët janë në gjendje të brishtë dhe procedurat janë invazive, duke nënvizuar se besimi ndërtohet përmes integritetit dhe jo përmes teknologjisë.

Në përfundim, Begaj shprehu mirënjohje për organizatorët e konferencës dhe uroi që kjo platformë të shërbejë për forcimin e marrëdhënies pacient-mjek, duke theksuar nevojën që shkenca dhe humanizmi të ecin paralelisht në sistemin shëndetësor.

 


Shtuar 28.03.2026 13:39