Këtë të hënë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti në një takim Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, i cili i dorëzoi Raportin Vjetor të Komisionit Evropian për Shqipërinë, pjesë e Paketës së Zgjerimit 2025.
Gjatë takimit, të dy diskutuan të mbi gjetjet e raportit dhe hapat e ardhshëm në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Presidenti Begaj, vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Delegacionit të BE-së në Tiranë dhe theksoi përkushtimin e institucioneve shqiptare, për të vijuar me vendosmëri në përmbushjen e prioriteteve të integrimit evropian.
Gjithashtu, kreu i shtetit nënvizoi progresin e bërë gjatë vitit të fundit në hapjen e grupkapitujve të negociatave dhe rëndësinë e vijimit të reformave thelbësore, në përputhje me standardet dhe parimet themelore të Bashkimit Evropian.
Begaj shprehu bindjen se bashkëpunimi i ngushtë me institucionet evropiane, është kyç për të përshpejtuar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në BE.
Presidenti Begaj, e cilësoi procesin e integrimit një aspiratë kombëtare dhe strategjike për të ardhmen e vendit, që kërkon angazhim dhe unitet nga të gjitha institucionet dhe faktorët politikë e shoqërorë.
