Presidenti Bajram Begaj i ka dërguar shkresë zyrtare Gjykatës Kushtetuese, me pretendimet e tij për dekretin e shpalljes së zgjedhjeve në Tiranë me 9 Nëntor, duke kërkuar nga institucioni i vetëm dhe më i lartë i Republikës për kushtetutshmërinë e ligjeve dhe dekreteve, të lejojë zhvillimin e tyre.
Ai kërkon që kjo gjykatë të shpallë moskompetencë, të rrëzojë padinë e bërë nga avokatët e kryebashkiakut të shkarkuar Erion Veliaj dhe të lejojë që më 9 Nëntor qytetarët e Tiranës të zgjedhin kryetarin e ri.
Më 23 shtator 2025, Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi pro shkarkimit të Erion Veliaj dhe propozimi u dërgua më pas përmes Prefektit të Tiranës, në Këshillin e Ministrave. Aty, u vulos shkarkimi përfundimtar i tij si kryebashkiak, pasi prej disa muajsh ndodhet në qeli.
Erion Veliaj nuk e pranoi vendimin dhe përmes avokatëve të tij bëri padi në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që paralelisht Presidenti Bajram Begaj u njoftua për vakancën dhe shpalli zyrtarisht zgjedhjet më 9 Nëntor.
Një javë më pas, ashtu siç kishte paralajmëruar, Gjykata Kushtetuese e pezulloi dekretin e tij.
Institucioni i Presidentit të Republikës ka sqaruar vendimin për të dekretuar zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Tiranës më datë 9 Nëntor, duke theksuar se nga praktika dokumentare e çështjes rezulton, se Këshilli i Ministrave ka referuar tek kuadri ligjor, i cili përcakton se shkarkimi për “mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë” përbën rast të ndryshëm nga shkarkimi “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” që parashikon neni 115 i Kushtetutës.
Sipas Presidencës, kjo do të thotë se për VKM nr.539, datë 25.09.2025 nuk zbatohet juridiksioni kushtetues për të drejtën e ankimit, por juridiksioni gjyqësor administrativ.
Në këtë mënyrë, Bajram Begaj sqaron se ankimimi i bërë nga kryebashkiaku i shkarkuar Erion Veliaj, përmes avokatëve të tij në Gjykatën Kushtetuese, nuk qëndron, sepse ai duhet të ishte bërë në Gjykatën Administrative.
Ndërkohë, përsa i përket vendimit të Kushtetueses për pezullimin e mbajtjes së zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës, Presidenca thotë se vendimi përveçse ankimohet në Gjykatën Administrative (jo në Gjykatën Kushtetuese), pezullohet vetëm nëse pezullimi urdhërohet posaçërisht nga Gjykata Administrative.