Ditën e sotme, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti në një takim zyrtar Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Bullgarisë, Nataliya Vasileva Kiselova.
Gjatë bisedës, u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike ndërmjet dy vendeve dhe u theksua nevoja për thellimin e bashkëpunimit në fusha të tjera me interes të përbashkët.
Presidenti Begaj, e cilësoi këtë marrëdhënie si të ndërtuar mbi miqësinë tradicionale dhe lidhjet historike, kulturore e ndërnjerëzore që bashkojnë dy popujt.
Gjithashtu, Kreu i Shtetit, nënvizoi gatishmërinë e Shqipërisë për të bashkëpunuar më ngushtësisht me Bullgarinë, si në planin dypalësh ashtu edhe në kuadër të forumeve shumëpalëshe.
Duke iu referuar fushës ekonomike, Begaj theksoi nevojën për të rikthyer në nivele më të larta shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, duke përkujtuar periudhën e fillimviteve ’90 kur këto shkëmbime ishin më të zhvilluara.
Presidenti falenderoi Bullgarinë për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke e konsideruar këtë mbështetje si një shtysë të rëndësishme për përmbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe synimin për anëtarësim të plotë në vitin 2030.
Në aspektin e sigurisë, Presidenti Begaj, vlerësoi kontributin e përbashkët në kuadër të NATO-s dhe përmendi prezencën e trupave shqiptare në bazën ushtarake të Novo Selos në Bullgari, si një tregues konkret të bashkëpunimit.
Në përmbyllje, ai theksoi rëndësinë strategjike të Korridorit VIII dhe portit të Durrësit, duke e cilësuar këtë projekt si thelbësor për lidhjen rajonale, zhvillimin e qëndrueshëm dhe forcimin e konkurrueshmërisë ekonomike në Ballkan.