Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zgjodhi shkollën e tij të vendlindjes në fshatin Gosë për të përcjellë urimet me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.
Kreu i Shtetit, u takua me nxënës, mësues e prindër, duke ndarë emocionet e kësaj dite të veçantë dhe duke theksuar rëndësinë që ka arsimi në formësimin e individit dhe shoqërisë.
“Një shkollë e fortë formëson qytetarë të ditur. Qytetarët e ditur ndërtojnë shoqëri të zhvilluar, të ardhme të ndritur dhe Shqipëri të fortë”, u shpreh Presidenti Begaj.
Ai i kushtoi një mesazh të veçantë nxënësve të klasës së parë, me të cilët ndau përvojën e tij të hershme në këtë shkollë, duke nënvizuar se këtu vendoset baza e dijes dhe ndërtohen miqësitë e para.
“Këto vite janë thesari juaj më i madh, janë suksesi i të ardhmes suaj. Mësoni me përkushtim, por edhe me gëzim. Jini kurioz, kërkoni dhe ëndërroni çdo ditë”, tha ai.
Gjithashtu, Presidenti Begaj, u ndal edhe te misioni i mësuesve, të cilët i cilësoi si shtylla të së ardhmes së vendit: “Mësuesia është profesion i pasionit dhe sakrificës, profesion që ndërton të ardhmen e kombit. Kontributi juaj mbetet i pashlyeshëm”.
Në fjalën e tij, ai i dha një rëndësi të veçantë gjuhës shqipe, duke theksuar se ruajtja e saj është çelësi i suksesit afatgjatë.
“Alfabeti ynë është thesari që na bashkon. Duke u përkujdesur për gjuhën, ne ruajmë traditat dhe kulturën tonë të pasur”, theksoi Presidenti.
Po ashtu, Kreu i Shtetit vuri theksin te integrimi i shkollës me risitë teknologjike, por pa humbur vlerat njerëzore.
Ai u shpreh se rrjetet sociale dhe mjetet dixhitale nuk mund të zëvendësojnë respektin, miqësinë dhe dashurinë për njëri-tjetrin.
Në përfundim, Presidenti Begaj, uroi që ky vit i ri shkollor të jetë i mbarë dhe i suksesshëm për nxënësit, mësuesit dhe prindërit, duke i ftuar të gjithëve të kontribuojnë me punë, pasion dhe përkushtim për një të ardhme më të ndritur.