Presidenti Begaj nga Gjirokastra: Të mbrojmë shqipen si trashëgimi kombëtare

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë në Gjirokastër me rastin e aktiviteteve të nëntorit, ku mori pjesë në takimin mbarëkombëtar për gjuhën shqipe, organizuar nga shoqata atdhetare Labëria Nder i Kombit në bashkëpunim me universitetin “Eqerem Çabej”.

Gjatë fjalës së tij, Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë themelore të shqipes si “shpirti dhe ashti i kombit shqiptar”, duke e lidhur aktivitetin me javën e alfabetit dhe datat historike të nëntorit.

Presidenti vlerësoi përpjekjet e deritanishme për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës dhe kërkoi një strategji të re për mësimin e shqipes për fëmijët në Diasporë.

Ai përmendi kontributin e figurave të mëdha të Gjirokastrës, si Eqerem Çabej dhe Ismail Kadare, duke rikujtuar fjalën e këtij të fundit se “Gjuha është atdheu”.

Presidenti u ndal edhe te rëndësia historike e Kongresit të Manastirit, që unifikoi alfabetin dhe “përcaktoi rrugën e bashkimit shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve, duke hedhur themelet e identitetit modern”.

Begaj vlerësoi mësuesit, prindërit, shoqatat kulturore dhe klerikët që mbajnë gjallë gjuhën amtare në Diasporë, duke i cilësuar si “ambasadorë të gjuhës sonë në botë”, dhe kërkoi mbështetje të fortë për përpjekjet e tyre.

Ai theksoi se shqipja duhet mbrojtur me vetëdije, dashuri dhe kujdes, duke u përshtatur me kohën pa humbur thelbin.

Në përfundim të vizitës, Presidenti falënderoi organizatorët dhe universitetin “Eqerem Çabej” për punën në promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, duke nënvizuar se “ruajtja e shqipes është ruajtja e atdheut”.

Gjatë qëndrimit në qytet, ai u prit nga kryebashkiaku Flamur Golemi dhe vizitoi Shtëpinë Muze të Ismail Kadaresë, Obeliskun e Arsimit dhe kalanë e Gjirokastrës.


Shtuar 15.11.2025 14:03