Presidenti Begaj nderon Dëshmorët e Kombit: T’i përcjellim brezit të ri flakën e atdhedashurisë

Këtë të hënë, në Ditën e Dëshmorëve të Atdheut, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kreu homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.

Kreu i Shtetit vendosi një kurorë me lule pranë Monumentit “Nënë Shqipëri”, duke nderuar veprën e përjetshme të atyre që sakrifikuan jetën për lirinë e vendit.

Gjatë këtij momenti solemn, Presidenti Begaj, përcolli një mesazh të veçantë për të gjithë qytetarët, e veçanërisht për të rinjtë.

Në një postim në “Facebook”, ai theksoi rëndësinë e mbajtjes gjallë të vlerave të trimërisë dhe përkushtimit ndaj atdheut.

“Më 5 Maj, Ditën e Dëshmorëve, përulemi para guximit dhe sakrificës së atyre që dhanë gjithçka për çlirimin e Shqipërisë. Vlerat e tyre, trimëria dhe përkushtimi ndaj lirisë janë trashëgimi e shenjtë. Ne e kemi për detyrë t’i përcjellim brezit të ri këtë flakë atdhedashurie, duke nderuar përjetësisht kujtimin e tyre”, shkruan Presidenti Begaj.