Presidenti Begaj mesazh ngushëllimi pas humbjes së Leka Bungos: Figurë e shquar e artit shqiptar, që i shërbeu vendit me pasion dhe dinjitet

Këtë të mërkurë, u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare, regjisori, aktori dhe skenaristi i njohur shqiptar, Leka Bungo.

Presidenti i vendit Bajram Begaj, ka dërguar një mesazh ngushëllimi për familjarët e regjisorit dhe skenaristit të shquar Leka Bungo.

Kreu i Shtetit, në mesazh, shpreh dhimbjen për humbjen e një prej figurave më të dalluara të artit shqiptar:

“Mësova sot me dhembje ndarjen nga jeta të regjisorit dhe skenaristit Leka Bungo, një nga figurat më të shquara të skenës shqiptare, të cilin pata fatin ta njihja nga afër dhe jo vetëm përmes artit të tij.

Krijimtaria e tij e pasur do të mbetet e gjallë në kujtesën kulturore të vendit tonë. Humbja e tij lë një boshllëk të ndjeshëm në skenën e teatrit dhe artit shqiptar”.

Presidenti Begaj shton gjithasjtu se “njeriu që, me pasionin, dinjitetin, si edhe humorin e tij të hollë i dha aq shumë Shqipërisë”, do të mbahet mend për trashëgiminë e pasur artistike që la pas.


Shtuar 11.06.2025 11:56