Presidenti Begaj dekreton lirimin nga detyra të Komandantit të Forcës Detare, ja kush e zëvendëson

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka firmosur disa dekrete që lidhen me ndryshime dhe emërime të rëndësishme në strukturat drejtuese të Forcave të Armatosura.

Me Dekretin nr. 25, datë 16 janar 2026, Kreu i Shtetit ka dekretuar lirimin e Nënadmiral Adnand Dëfrim Agastra nga detyra e Komandantit të Forcës Detare.

Ndërkohë, me Dekretin nr. 26, po të së njëjtës datë, Presidenti Begaj ka emëruar Kundëradmiral Arsen Burhan Mullaj në detyrën e Komandantit të Forcës Detare.

Gjithashtu, Presidenti i Republikës ka firmosur edhe dhënien e gradave madhore për disa drejtues të Forcave të Armatosura. Me Dekretin nr. 27, datë 16 janar 2026, Kolonel Razije Kadri Mehmeti, Drejtore në Drejtorinë e Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak J-9 në Shtabin e Përgjithshëm të FA, është graduar me gradën “Gjeneral Brigade”.

Me Dekretin nr. 28, Kolonel Fatmir Sadri Neziraj, Drejtor në Drejtorinë e Operacioneve dhe Stërvitjes J-3/7 në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, është graduar gjithashtu me gradën madhore “Gjeneral Brigade”.

Po ashtu, me Dekretin nr. 29, Presidenti Begaj ka dekretuar dhënien e gradës “Gjeneral Brigade” për Kolonel Edmond Abaz Voci, Komandant i Qendrës së Kontroll Raportimit në Forcën Ajrore.

Vendimet e Presidentit synojnë forcimin e strukturave drejtuese dhe rritjen e kapaciteteve profesionale në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.