Presidenti Begaj dekreton datën e mbledhjes së parë të Kuvendit, ja kur do të betohen deputetët e rinj

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dekretuar datën e mbledhjes së Parlamentit të ri të Legjislaturës së XI, i dalë nga zgjedhjet e 11 majit.

Deputetët e rinj do të mblidhet dhe betohet të premten, më 12 shtator, ora 10:00, një ditë pas Asamblesë së Partisë Socialiste.

Në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve dhe deputetëve të rinj, Kreu i Shtetit, e cilësoi këtë moment si historik për Shqipërinë, e cila ndodhet në një fazë vendimtare të rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Kuvendi është simbol i demokracisë, hapësira ku duhet të dëgjohen dhe respektohen zërat e të gjithë shqiptarëve. Shqipëria ndodhet përpara një momenti historik dhe Kuvendi ka nderin e detyrimin të jetë përfaqësues i vizionit dhe aspiratës sonë për një Shqipëri evropiane”, u shpreh Presidenti Begaj.

Gjithashtu, ai theksoi se legjislatura e re duhet të kombinojë përvojën e deputetëve të vjetër me energjinë e të rinjve të sapozgjedhur, duke e parë këtë si pjesë të natyrshme të proceseve demokratike.

Mazhoranca, sipas tij, duhet ta ushtrojë pushtetin me përulësi, ndërsa opozita të jetë aktive, konstruktive dhe e përkushtuar ndaj rolit të saj thelbësor.

“Dialogu dhe respekti për dallimet janë themel i bashkëjetesës demokratike”, tha Presidenti, duke vënë theksin te diskutimet konstruktive dhe vendimmarrja e urtë në shërbim të qytetarëve.

Kreu i Shtetit, vuri në dukje se prioriteti madhor mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian, proces që kërkon reforma të thella dhe angazhim të palëkundur.

Ai theksoi domosdoshmërinë e një drejtësie funksionale e të pavarur, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përmirësimin e cilësisë së ligjeve në përputhje me nevojat e shoqërisë.

Në planin e jashtëm, Presidenti u shpreh se Shqipëria do të vijojë përfaqësimin dinjitoz në marrëdhëniet ndërkombëtare në bashkëpunim me BE-në, SHBA-në dhe NATO-n, duke mbështetur njëkohësisht Kosovën dhe shqiptarët në rajon.

Ai theksoi rolin e vendit si faktor paqeje dhe dialogu në Ballkan, duke e cilësuar vëllazërinë fetare shqiptare si një shembull frymëzues për rajonin.

Presidenti Begaj, u kujtoi deputetëve përgjegjësinë që mbajnë për besimin e dhënë nga qytetarët.

“Kjo është koha ta ktheni atë besim në veprim. Shqiptarët presin rezultate konkrete, mirëqeverisje dhe zhvillim që sjell mirëqenie”, u shpreh ai, duke uruar suksese për punimet e legjislaturës së re me Shqipërinë “në mendje dhe në zemër”.

 

 


Shtuar 8.09.2025 15:05