Presidenti Begaj bën bashkë shqiptarët e Malit të Zi dhe i takon me presidentët e rajonit

Katër Presidentë të vendeve të rajonit, janë takuar me përfaqësuesit e partive politike të shqiptarëve në Malin e Zi nën organizimin e kreut të shtetit shqiptar, Presidentit Bajram Begaj.

Të pranishëm në takim, krahas Presidentit Begaj, ishin Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ai i Malit të Zi, Jakov Milatoviç si edhe Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.

Takimi i përbashkët u organizua në Tivat të Malit të Zim, në kuadër të Samitit e Procesit të Brdo-Brijunit, teksa përfaqësuesit e shqiptarëve aty diskutuan mbi problematikat e tyre në këtë shtet si edhe proceset integruese në BE.

Një takim i ngjashëm u organizua nga Begaj edhe në Maqedoninë e Veriut, me rastin e Kongresit të Alfabetit.

“Për çështje madhore kombëtare, – theksoi Presidenti Begaj, ne si shqiptarë duhet të jemi bashkë pavarësisht ideologjive politike e partiake që na bëjnë të konkurrojmë me njëri-tjetrin, konkurrencë e cila është mirë të jetë e shëndetshme. Ne duhet të jemi bashkë për çështjet që kanë të bëjnë më orientimin Euroatlantik të shqiptarëve. Kjo është një ëndërr dhe aspiratë e shqiptarëve, për të cilën nuk negociohet”, – theksoi Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

“Ne ndër vedi nuk mund të vendosim gardhe”,–u shpreh Kreu i Shtetit, i cili mbështeti nismat e ndërmarra për heqjen e barrierave në kufijtë e rajonit.

Kreu i Shtetit përgëzoi përfaqësuesit e shqiptarëve të Malit të Zi, për atë që kanë bërë dhe bëjnë në interes të shqiptarëve dhe i këshilloi se është e rëndësishme të mos tolerojnë veprimet antishqiptare:

“Nëse ne shohim një qëndrim që bie ndesh me interesat e shqiptarëve, që bie ndesh me ëndrrat e shqiptarëve,me rrugëtimin tonë evropian, me qenien tonë në NATO, patjetër që këto gjëra nuk tolerohen, janë vijë e kuqe ndarëse. Mendimet individuale ne nuk i kundërshtojmë dot. Ne kundërshtojmë veprimet. Ne kurrë nuk do të pajtohemi me veprime që bien ndesh me Kosovën, bien ndesh me njohjen e saj, bien ndesh me votimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare”.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, u shpreh se duhet bërë më shumë në rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në administratë dhe jo vetëm.

Gjithashtu, ai u shpreh se asimilimi i shqiptarëve është një fenomen mjaft shqetësues, për parandalimin e të cilit është i nevojshëm hartimi i një strategjie afatgjatë, e cila do të duhet të ketë në fokus ruajtjen e identitetit kombëtar përmes arsimit, gjuhës dhe kulturës shqipe.


Shtuar 8.10.2024 11:31