Presidenti i Republikës, Bajram Begaj do të nisë nesër takimet me përfaqësuesit e partive politike për t’u konsultuar për datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kur na ndajnë pak më shumë se 6 muaj nga zgjedhjet, Begaj po merr propozime për datën.
Kreu i shtetit do të presë më 20 Nëntor në zyrën e tij, Fatmir Mediun e Partisë Republikane, Vangjel Dulen e PBDNJ, Shpëtim Idrizin e PDIU dhe Dash Shehin e LZHK-së.
Një ditë më pas, të enjten Bajram Begaj do të presë në Presidencë për konsultime përfaqësues të Partisë së Lirisë. Në kushtet kur Ilir Meta ndodhet në qeli si i dyshuar për disa vepra penale, nuk dihet se kush do të shkojë në vend të tij për bisedime me Presidentin.
Në media është raportuar se dy data të mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare janë dy të dielat e para të muajit Maj, data 4 dhe 11.
Megjithatë, pritet që kur të mbarojnë konsultimet dhe të dëgjojë kërkesat e përfaqësuesve të partive kryesore politike në Shqipëri, Presidenti Bajram Begaj të nxjerrë dekretin e posaçëm për datën që do të çojë shqiptarët drejt kutive të votimit.
News 24 bën me dije se konsultat me dy partitë kryesore, Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike, Bajram Begaj do t’i zhvillojë pas dy javësh. Më datë 2 Dhejtor, pritet që Edi Rama të shkojë te Begaj për të biseduar për datën e mundshme, ndërsa Sali Berisha në kushtet kur është në “Arrest në shtëpi” mund të çojë përfaqësues.