Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se LVV përkrah plotësisht amendamentet kushtetuese të proceduara nga presidentja e vendit për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit nga qytetarët.
Përmes një reagimi në Facebook, Nagavci ka thënë se përkrah plotësisht amendamentet kushtetuese të dërguara në Kuvend nga Vjosa Osmani, të cilat parashohin që Presidenti apo Presidentja e vendit të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.
“Shprehim mbështetjen e plotë për amendamentet kushtetuese të përcjella sot nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu të cilat parashohin që Presidenti/Presidentja e vendit të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli”.
Sipas saj, votimi i këtyre amendamenteve do të ndikonte në forcimin e stabilitetit institucional dhe në rritjen e legjitimitetit demokratik të institucionit të presidentit.
Nagavci u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të partive politike që t’i mbështesin dhe t’i votojnë këto amendamente kushtetuese, duke theksuar se një hap i tillë është në interes të qytetarëve dhe të demokracisë në vend.
“Ftoj të gjithë deputetët e partive politike që të mbështesin dhe të votojnë këto amendamente kushtetuese në interes të qytetarëve dhe të demokracisë në vend”, ka deklaruar Nagavci.

