Vetëm 7 muaj më parë, në tetor 2022 kryeministri Rama premtoi se nuk do të kishte rritje të rrogave për deputetët dhe ministrat për sa kohë ai të ishte në pushtet.
Por sot, vetëm 7 muaj më pas në Kuvend pritet votimi dhe miratimi i projektligjit që parashikon rritje të pagave për Presidentin, kryeministrin, ministrat, deputetët dhe nëpunësit e administratës publike.
Çfarë deklaronte Rama në 2022
Rama: Që në vitin 2013 nuk janë rritur asnjëherë pagat e ministrave, nuk janë rritur pagat e deputetëve dhe nuk kanë për tu rritur. As paga e kryeministrit sa të jem unë këtu. Pse? Për një mesazh shumë të thjeshtë. Për sa kohë ne nuk jemi në gjendje që t’ia rrisim të tjerëve pagën deri në pikën ku ne të meritojmë të na rritet paga jonë, nuk kemi pse rrisim pagën tonë. Sot po të shohim se çfarë punësh janë bërë është një Shqipëri tjetër nga ajo që shihet në TV. Në TV askush nuk kujtohet të tregojë pë rata të cilët punojnë dhe eksportojnë. Shqipëria sot punon dyfishin e tokës që punonte para 7-8 vitesh.
Dy ditë më parë, në Komisionin e Ekonomisë, deputetët miratuan rritjen e pagave për Qeverinë dhe deputetët. Më rritjen e re që parashikohet me koeficientin 0.75 për ministrat, paga që rezulton në 228 730 lekë do të shkojë në rreth 318 mijë lekë bruto.
Aktualisht paga e deputetit që deri më sot rezulton 156 770 do të rritet në 310 mijë lekë. Ndërkohë, paga e kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit shkon rreth 395 mijë lekë.
Krahasuar me projektligjin që kishte propozuar qeveria për rritjen e pagave dhe me atë që është miratuar dy ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë, paga e tyre është rritur me rreth 100 mijë lekë më shumë për institucionet kryesore. Ky projekligj do të kalojë në Kuvend dhe nëse do të miratohet, do të rritet edhe paga e tyre. /Albeu.com/