Prag zgjedhjesh, Celibashi letër porosi intitucioneve: Merrni masat për parandalimin e krimeve zgjedhore

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, I ka dërguar një letër institucioneve të larta në vend, vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit.

Celibashi i është drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, drejtuesit të SPAK, Altin Dumani si edhe Drejtorit të Përgjithshëm të policisë, Muhamet Rrumbullaku.

Ai u bën thirrje institucioneve të marrin masat për të parandaluar krimet zgjedhore si edhe për incidentet e mundshme.

“Në njohje dhe respektim të kompetencës dhe të përgjegjësisë ligjore të secilit prej institucioneve që ju drejtoni si edhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj nevojën për të koordinuar ushtrimin e këtyre përgjegjësive me qëllim parandalimin dhe evidentimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve në mënyrë efikase, më së paku në raport me kohën. Kjo, për përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeeve për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023.Mbi sa më lart, rekomandojmë të caktohen dhe të njihen reciprokisht kontaktet përkatëse, të posaçme, pritëse dhe dërguese të informacioneve të rastit. kjo veçanërisht për periudhën nga sot deri në përfundimin e procesit të numërimit të votave“, thuhet në letër.


Shtuar 11.05.2023 11:10