Pak ditë pas tragjedisë ku dy turistë italianë humbën jetën si pasojë e një aksidenti të ndodhur në Sarandë, ditën e sotme dy turistë të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Mësohet se aksidenti është shënuar në aksin Gjirokastër-Sarandë në afërsi të HEC “Bistrica 2”.
Automjeti tip “Volksvagen” me drejtues 19 vjeçarin Orest Zhgabi, është përplasur me motorin tip “Dayang” me drejtues shtetasin italian Giorgo Vania, 24 vjeç.
Si pasojë, ky i fundit së bashku me pasagjeren, Maria Pedroni, 25 vjeç janë plagosur. Ata janë transportuar me dy autoambulanca drejt urgjencës së Sarandës.
Njëri prej tyre ka thyerje të femurit.
Domenico Gritto, 24 vjeç dhe Vincenzo Tizzano, 32 vjeç, me origjinë nga Pozzuoli, humbën jetën më 24 gusht 2023 në një aksident rrugor.
Rreth orës 3 të mëngjesit, dy italianët po ktheheshin në Sarandë, me një motoçikletë, kur një makinë Mercedes Benz, e drejtuar nga një adoleshent shqiptar (17 vjeç), pa leje drejtimi i preu papritur rrugën.
Përplasja rezultoi fatale për dy italianët, ndërsa drejtuesi i makinës dhe një bashkëmoshatar që ndodhej në makinë me të përfunduan në spital.
Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë po ndjek me vëmendjen maksimale rastin, sipas asaj që mësohet më pas./Albeu.com.