Policia e Shtetit, ka goditur një grup me shtetas të huaj që mashtronte qytetarët shqiptarë përmes faqeve të falsifikuara të Postës Shqiptare, ku janë arrestuar dy shtetas kinezë.
Në kuadër të operacionit të koduar “Posta e Rreme” janë vënë në pranga shtetasit e huaj C. F., 51 vjeç, dhe H. Y., 45-vjeç.
Hetimet kanë nisur pas njoftimeve të marra nga qytetarë për dërgimin e SMS-ve mashtruese që imitonin faqen zyrtare të Postës Shqiptare, me qëllim përfitimin e të dhënave personale dhe bankare të përdoruesve
“Hetimet kanë treguar se këta shtetas kishin hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë më datë 27 tetor 2025 dhe kishin krijuar një faqe interneti identike me atë të Postës Shqiptare, për të mashtruar qytetarët dhe për të mbledhur të dhëna personale e bankare.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin ku qëndronin, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 17 telefona, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti, 1 patentë dhe shuma parash në valuta të ndryshme.
Vijon puna hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes, me qëllim dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e mundshëm të autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari”, – thuhet në njoftimin e Policisë.
Materialet procedurale i janë referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Ndërhyrja në të dhëna kompjuterike” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.
Policia e Shtetit rikujton qytetarët të tregojnë kujdes maksimal ndaj çdo mesazhi apo faqeje që kërkon të dhëna personale apo bankare dhe apelon:
Mos klikoni në lidhje (linke) të dyshimta të dërguara përmes email-it, SMS-ve apo rrjeteve sociale;
Mos jepni asnjëherë të dhëna personale, numra kartash, PIN apo fjalëkalime në faqe që nuk janë zyrtare;
Kontrolloni gjithmonë adresën e saktë të faqes përpara se të kryeni çdo veprim online;
Në rast dyshimi, raportoni menjëherë pranë Policisë së Shtetit ose Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik.
Gjithashtu, Policia e Shtetit ka dhe një thirrje për qytetarët:
“Nëse ndonjë qytetar i është përgjigjur mesazheve mashtruese dhe ka vendosur të dhënat e tij personale apo bankare në faqet e falsifikuara, i bëjmë thirrje të paraqitet sa më shpejt në Drejtorinë e Hetimit të Krimit Kibernetik, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Tiranë, ose të kontaktojë menjëherë për të raportuar rastin dhe për të marrë ndihmën e nevojshme”.
