Portugalia po përballet me një valë intensive të të nxehtit, me temperatura që në disa zona arrijnë deri në 41°C.
Sipas raportimeve të Euronews, muaji gusht pritet të jetë ndër më të nxehtit në 15–20 vitet e fundit.
Temperaturat minimale po variojnë nga 16 deri në 24°C, ndërsa ato maksimale sillen nga 28 deri në 41°C, duke e kthyer klimën në një sfidë serioze për popullsinë dhe shërbimet shëndetësore.
Rajonet veriore si Viana do Castelo, Braga, Porto, Vila Real dhe Bragança ndodhen nën alarm të kuq, niveli më i lartë i paralajmërimit meteorologjik, për shkak të valës së zgjatur të temperaturave ekstreme.
Instituti Portugez i Meteorologjisë (IPMA), thekson se përjashtim bën vetëm bregdeti, ku ndikimi i valës është më i moderuar.
Ekspertët paralajmërojnë se ky gusht mund të jetë rekord jo vetëm për temperaturat maksimale, por edhe për ato minimale, duke bërë që netët të jenë po aq përvëluese sa ditët.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell në orët e pikut, të konsumojnë shumë lëngje dhe të ndjekin me kujdes udhëzimet zyrtare për mbrojtje nga nxehtësia.