Porti i Ri në Porto Romano, qeveria vendos shpronësimin e pronave private, 815 milionë lekë kompensime në total

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme ka vendosur shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimi i Portit të Ri të Porto Romanos në Durrës.

Sipas vendimit, pronarët e pasurive të paluajstshme që shpronësohen, kompensohen në velrë të plotë për pasuritë e llojit “pyll”, “arë”, “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 815 milionë e 696 mijë e 300.40 lekë.

VKM

V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PËR ZBATIMIN E PROJEKTIT TË PORTIT TË RI TREGTAR TË INTEGRUAR TË DURRËSIT NË PORTO ROMANO”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Për zbatimin e projektit të portit të ri tregtar të integruar të Durrësit në Porto Romano”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Portual Durrës.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “pyll”, “arë”, “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 815 696 300.40 (tetëqind e pesëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e treqind pikë dyzet) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 815 696 300.40 (tetëqind e pesëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e treqind pikë dyzet) lekësh, përballohet nga Autoriteti Portual Durrës.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 90 000 (nëntëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Autoriteti Portual Durrës.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Autoritetit Portual Durrës.

8. Në momentin e ekzekutimit të procedurave për likuidim për çdo pasuri, objekt shpronësimi, që miratohen me anë të këtij vendimi, do të kërkohet dokumentacion pronësie i rifreskuar për secilin pronar, të konfirmuar nga institucioni kompetent, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, me qëllim verifikimin e kufizimeve përkatëse që mbartin kartelat e pasurive, në bazë të të cilave do të vlerësohet dhe do të bëhet procedura e ekzekutimit të këtij vendimi, si dhe në rast se prona është në proces gjyqësor, masa e shpërblimit ose e kompensimit do t’i vendoset në dispozicion personit që rezulton nga vendimi i formës së prerë të gjykatës.

9. Autoriteti Portual Durrës kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

10. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Portual Durrës.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës-Kavajë-Krujë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Autoritetit Portual Durrës për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

12. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë, në favor të Autoritetit Portual Durrës për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

13. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Portual Durrës, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës-Kavajë-Krujë, Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Durrës dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU


Shtuar 31.07.2025 23:13