“Porositës i vrasjes së opozitës”, Berisha: Rama largohet vetëm me revolucion

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbledhur kryesinë e partisë një ditë pas protestës së opozitës para parlamentit.

Berisha tha se kryeministri Edi Rama është porositës i vrasjes së opozitës dhe nuk mund të largohet me votën e lirë.

Ai tha se Rama largohet vetëm me revolucion dhe shtoi se Shqipëria ka degraduar në shkallën më ekstreme.

“E thirrëm këtë mbledhje për të diskutuar rreth situatës aktuale, politike dhe elektorale në vend. McGonigal, që vazhdon të jetë kryefjalë e medieve botërore, është në burg, kurse porositësi i vrasjes me pagesë të opozitës shqiptare, është në pushtet.
Cilido që mendon se ky porositës i krimit më të shëmtuar ndaj demokracisë dhe pluralizmit, asgjësimit të pluralizmit de facto, largohet me votën e lirë, gabon. Është iluziv, gënjen veten. Kjo është e vërteta.

 

 

Ky porositës i vrasjes së opozitës largohet vetëm me revolucion.
Sepse, Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s, ka degraduar në shkallën më ekstreme. Në Europë është narkoshteti i parë dhe i vetëm. Do të thotë se vendos mafia e drogës.
Shqipëria është vendi i qytetarëve, që vidhen në mënyrën më monstruoze. 4.5 milionë euro po ndërtohet autostrada Kakavijë-Janinë, 22 milionë euro po ndërtohet autostrada Limuth-Rrogozhinë. A munden shqiptarët të pranojnë një gjë të tillë?
Marrim vetëm këto krahasime.
Kurse rrugët anësore të autostradës Lekaj-Tepelenë shkojnë 7.1 milionë dollarë për kilometër. 320 milionë së bashku.
Gjithçka, fati i këtij revolucioni varet nga komunikimi ynë me intensiv me qytetarët. Jo nëpërmjet ekraneve. Komunikimi është i akullt. Do të përdorim ekranet, pro kontaktet direkte janë rruga absolute e revolucionit”, deklaroi Berisha.


Shtuar 14.02.2023 13:36