Ekipet e polumbarëve të Forcave Speciale RENEA, janë duke kërkuar prej ditës së djeshme në lumin Drin, për gjetjen e pistoletës “TT” e cila dyshohet se është përdorur në vrasjen e biznesmenit dhe politikanit Ardian Nikulaj.
Kërkimet kanë nisur që dje, pas informacioneve të siguruara nga Policia e Lezhës, se arma ishte hedhur në këtë lumë. Ora News mëson se pistoleta nuk është gjendur dhe sot për të dytën ditë do të vazhdojnë kërkimet.
Puna e polumbarëve të RENEAS është vështirësuar edhe për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin Drin, nga shirat e ditëve të fundit. Veç rritjes së nivelit të ujit, lumi ka pasur turbullirë dhe balta mund të ketë mbuluar armën.
Zbulimi i bazës së dytë dhe gjetja e armës, tashmë është kthyer në nje mision parësor i policisë. “Ora News” mëson se për prezencën e shtëpisë në Shkodër, policia është vënë në dijeni gjatë kontrollit të një automjeti tip “Golf4”, që ka përdorur Edmond Haxhia, gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri.
Në bagazhin e këtij mjeti, policia ka gjetur disa kupona tatimorë të një supermarketi “S…r” që ushtron aktivitet tregtar në Shkodër. Policia ka shkuar pranë ambienteve të supermarketit, duke verifikuar kamerat pikërisht në datat dhe orën kur ishin printuar kuponat tatimorë.
Në pamjet filmike shfaqet Edmond Haxhia dhe portugezi Ruben Saraiva, të cilët shfaqen së bashku duke blerë produkte ushqimore dhe më pas largohen në këmbë në drejtim të një rrugice lagjeje.