Polonia propozon vendosjen e raketave “Patriot” pranë kufirit me Ukrainën

Polonia do të propozojë vendosjen e raketave shtesë “Patriot” pranë kufirit të saj me Ukrainën, pas një oferte nga Gjermania, tha të hënën në “Twitter” ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak.

“Gjatë bisedës së sotme me palën gjermane, do të propozoj që sistemi të vendoset në kufirin me Ukrainën”, shkroi ai në Twitter.

Gjermania i ka ofruar Varshavës sistemin e mbrojtjes raketore “Patriot” për ta ndihmuar atë të sigurojë hapësirën e saj ajrore pas rrëzimit të një rakete në Poloni javën e kaluar, tha të dielën ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht.

“Raketa që goditi Poloninë duke vrarë dy persona, duket se ishte gjuajtur nga mbrojtja ajrore e Ukrainës dhe jo nga një sulm rus”, tha shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg duke qetësuar shqetësimet fillestare se sulmi mund të nxiste një konflikt përtej kufijve të Ukrainës.

Sistemet e mbrojtjes ajrore me bazë tokësore “Patriot” janë ndërtuar me qëllim të eliminimit të rrezikut para se raketat të godasin shënjestrën.


Shtuar 21.11.2022 19:21