Polonia tashmë ka dorëzuar grupin e parë të avionëve luftarakë MiG-29 në Ukrainë, sipas kreut të politikës ndërkombëtare të zyrës presidenciale polake, Marcin Przydacz.
“Sipas informacioneve të mia, ky proces tashmë ka përfunduar, pra transferimi i kësaj pjese të parë. Sigurisht që do të flitet për mbështetje të mundshme të mëtejshme”, tha ai në një intervistë për mediat polake.
Ai nuk specifikoi se sa avionë ishin transferuar. Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, muajin e kaluar tha se Varshava do t’i dorëzonte Ukrainës katër MiG-29 të parë.
“Ne kemi ende një duzinë të tillë [aeroplanë]. Ne i morëm ato në fillim të viteve 1990 nga ushtria e Gjermanisë Lindore. Këto janë vitet e fundit të funksionimit të tyre në përputhje me mundësitë e tyre teknike por janë ende funksionale”, kishte thënë Duda.
Kievi u ka kërkuar aleatëve të tij që të ofrojnë avionë luftarakë për të mbrojtur hapësirën e tij ajrore dhe për të kundërsulmuar në mënyrë më efektive forcat ruse në territorin e tij. Deri më tani, vetëm Polonia dhe Sllovakia, të cilat miratuan transferimin e 13 avionëve MiG-29, i janë përgjigjur kësaj thirrjeje. /albeu.com