Politikani pro-rus që u arrestua nga ukrainasit, Viktor Medvedchuk, i ka bërë thirrje Vladimir Putinit që të shkëmbehet me banorët e Mariupolit.
Lajmin e ka bërë të ditur Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës, i cili ka publikuar videon e tij teksa i drejtohet Putinit.
Duke iu drejtuar Putinit dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, ai tha banorët në qytet ishin të bllokuar dhe nuk kishin akses në korridoret humanitare.
Mariupol ka qenë vendi më i prekur që nga fillimi i pushtimit rus. Deri më tani besohet se janë vrarë rreth 21,000 civilë.
Gjithashtu edhe dy ushtarë britanikë, të cilët janë shfaqur në televizionin shtetëror rus kanë kërkuar që të shkëmbehen me politikanin pro-rus. Politikani ukrainas pro-rus u arrestua nga agjentët e sigurimit të martën, në tentativë e sipër për tu larguar në Rusi.
Ai kishte qenë nën arrest shtëpie nën dyshime për tradhti, por u arratis në momentin e nisjes së luftës në fund të shkurtit. Viktor Medvedchuk është një biznesmen shumë i pasur me lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin.