Policia shton kontrollet, sekuestrohen 600 fishekzjarre, një i arrestuar

Policia ka shtuar kontrollet për festat e fundivitit me qëllim goditjen e paligjshmërisë. Si rezultat i kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar 600 fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese. Gjithashtu është vënë në pranga një shtetas dhe ka nisur hetim për një tjetër, të cilët ishin posedues të fishekzjarreve.

Njoftimi i policisë:

DVP Tiranë

Kontrolle të shtuara nga Policia, për parandalimin e tregtimit në mënyrë të paligjshme të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve.

Si rezultat i kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar 600 fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese.

Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër.

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe në telegramin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, për intensifikimin e kontrolleve me qëllim parandalimin e tregtimit në mënyrë të kundërligjshme të lëndëve piroteknike, shërbimet e Policisë kanë evidentuar dy raste të tregtimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve, konkretisht:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në fshatin Luz i Vogël, kanë konstatuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin A. Sh. Gjatë kontrollit në mjet janë gjetur 2 kuti me fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë u arrestua në flagrancë shtetasi A. Sh., 19 vjeç, banues në Kavajë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, gjatë kontrollit të territorit, në rrugën “Hamdi Pepa”, në magazinën në pronësi të shtetases M. Gj., 57 vjeçe, kanë gjetur 3 kuti me fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u procedua penalisht shtetasja M. Gj., 57 vjeçe, banuese në Tiranë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan në total 600 fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Tregtimi dhe transporti i mallrave që janë kontrabandë” për veprime të mëtejshme procedurale.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë pronarët e subjekteve tregtare, që të mos tregtojnë lëndë piroteknike, pasi do të përballen me ligjin, dhe fton qytetarët që të denoncojnë në 112 e Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të mënjëhereshëm e të paanshëm./albeu.com


Shtuar 31.12.2021 10:26