Policia Rrugore arreston 39 shoferë të dehur dhe pa patentë, mbi 23 mijë gjoba

Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore pranë shkollave, në akset rrugore, qendrat urbane e rurale, Policia Rrugore ka rritur prezencën, duke përdorur mjetet inteligjente dhe bazën logjistike që ka në dispozicion.

Si rezultat i monitorimeve në të gjitha akset rrugore, 24/7, duke përdorur mjete inteligjente poliskanë, radarë automatikë, dronë të cilësisë së lartë dhe dragera, gjatë kësaj jave janë arrestuar 39 drejtues mjetesh, për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.

Janë evidentuar nëpërmjet radarëve dhe poliskanëve, 1456 drejtues automjetesh të cilët qarkullonin me shpejtësi 40 deri në 100 km në orë mbi normën e lejuar.

Drejtuesit e automjeteve janë ndëshkuar me dyfishin e masës administrative maksimale dhe zbritje 3 deri në 8 pikë nga Leja e Drejtimit.

Gjithashtu, në të gjithë vendin janë vendosur 23,414 masa administrative, nga këto:

5678 për shpejtësi tej normave të lejuara, me sanksione plotësuese.

1123 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit;

1235 për mospërdorim të rripit të sigurimit;

2134 për parakalime të gabuara;

215 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;

98 për manovra të rrezikshme në rrugë;

267 për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit;

2789 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Për javën në vijim, Policia Rrugore, ka marrë një sërë masash shtesë në kuadër të fillimit të vitit të ri shkollor.

Policia Rrugore, apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, që t’u japin përparësi këmbësorëve dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit dhe të vendosin rripin e sigurimit.

Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.


Shtuar 20.10.2024 11:50