Policia Rrugore intensifikoi monitorimet e akseve rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore me dronë, radarë, kamera, makina inteligjente dhe patrulla me mjete të pauniformuara, 24 orë në 7 ditë të javës.
Po ashtu, policia njoftoi se në bashkëpunim me administratorët e mirëmbajtjes së tuneleve, po monitorohen 24/7 lëvizjet në tunele dhe pamjet filmike të kamerave dhe radarëve të tuneleve administrohen nga Policia Rrugore.
Për të gjitha shkeljet e konstatuara, Policia Rrugore, vendos masën administrative, e cila pasqyrohet menjëherë në portalin e-Albania, në adresën e drejtuesit të automjetit apo subjektit që është konstatuar në shkelje të Kodit Rrugor, për të cilin, krahas masës administrative, aplikohet edhe sanksioni plotësues i zbritjes deri në 15 pikë nga leja e drejtimit.
Përgjatë dy javëve të fundit, në Tunelin e Murrizit janë ndëshkuar 165 drejtues automjetesh me masë administrative 40000 lekë të rinj dhe me zbritje prej 15 pikësh nga leja e drejtimit.
Policia Rrugore apelon për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e automjeteve, motomjeteve, këmbësorët, si dhe nga ata që lëvizin me biçikleta ose me monopatina.