Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, në një intervistë për News 24, theksoi se përfundoi në urgjencën e QSUT-së pas një dëmtimi që pësoi në tre gishta. Ai tha se ka pësuar dëmtime të shkallës së dytë nga mjetet që përdori policia.
Ai gjithashtu bëri me dije se një protestues i ri është në gjendje të rënduar për shkak të dëmtimeve në kokë nga bombat e gazit lotsjellës. Sipas deputetit demokrat, ai kishte gjakderdhje dhe marrje mend si edhe me probleme me shikimin.
“Tani ndihem më qetë, sapo kam dalë dhe jam këtu te urgjenca e QSUT. Nuk jam i shqetësuar për gjendjen time, sesa për gjendjen e një të riu që është goditur nga prapë koke nga bombat e gazit lotsjellës që policia i gjuan drejtpërdrejt, siç më ndodhi edhe mua. E shoqërova edhe atë në spital. Urgjenca e ka shtruar te Trauma se gjendja e tij është e rënduar. Nga goditja prapa kokës, kishte gjakderdhje nga hundët, marrje mendsh dhe humbje të shikimit.”, u shpreh deputeti.
Për dëmtimet që ka pësuar vetë në dorë, deputeti theksoi:
“Një këto bombat dhe duke qenë se e kisha shumë afër, edhe fluksi i gazit ishte i lartë kërkova ta largoj dhe temperatura bëri të veten. Më janë djegur tre gishtat. Erdha të marr mjekimin. Djegia është e shkallës së dytë. “
Hodhi gjithashtu akuza ndaj policisë, duke e cilësuar si shërbëtore të pushtetit dhe se ka vepruar në mënyrë agresive ndaj protestuesve.
“Shkalla e agresivitetit ishte superiore, në mënyrën e reagimit të sjelljes, të mënyrës së gjuajtjeve të përdorimit të gazit lotsjellës, makinave me topa uji, për të përdorur ato ka rrethana e kushte të caktuara, policia me orientim politik iu sul qytetarëve. Përpara selisë së PD pati një rast ekstrem se dikush nga qytetarët humbi ndjenjat se policia nuk kurseu asnjë. Edhe në perimetrin e xhamisë ku vazhdonin ritet fetare.”, shtoi ai.
