Policia e Shtetit:
Vijojnë në të gjitha rrugët e vendit, kontrollet intensive nga Policia Rrugore, me radarë???, dronë, mjete të paloguara, kamera, aparate fotografike e alkooltestues, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara, gjatë 48 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 13 drejtues mjetesh, nga të cilët 6 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Në autostradën Levan-Vlorë, nga Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, gjatë monitorimit me radar, është konstatuar mjeti tip “Benz”, që drejtohej nga shtetasi A. M., 24 vjeç, rezident në Itali, me shpejtësi 184 km/h, i cili u ndëshkua me masë administrative 40.000 lekë të rinj. Shpejtësi të mëdha janë konstatuar nga radari edhe në akset rrugore Shkodër-Koplik, Milot-Morinë, Lezhë-Fushë Krujë, Tiranë-Elbasan, Durrës-Kavajë-Lushnjë, Elbasan-Korçë dhe Gjirokastër-Sarandë.
Si rezultat janë pezulluar 73 leje drejtimi, nga të cilat 44 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 25 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 4 për qarkullim në sens të kundërt.
Po gjatë 48 orëve të fundit janë ndëshkuar me masë administrative 3456 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Policia Rrugore e Tiranës, nisur nga postimi në disa media sociale, i një videoje ku shfaqet një drejtues automjeti, i cili filmon veprimet e tij duke qarkulluar në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në sens të kundërt me atë të lejuar në zonën e Kamzës, ankesë e përcjellë edhe nëpërmjet Komisariatit Dixhital, nga strukturat përkatëse të Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë u bë i mundur identifikimi i drejtuesit të automjetit dhe shoqërimi i tij pranë Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë. Nga hetimi rezultoi se shtetasi i mitur me iniciale E. N., 17 vjeç, ka drejtuar automjetin në mënyrë të parregullt dhe të rrezikshme për përdoruesit e tjerë të rrugës, duke qenë i papajisur me leje drejtimi.
Ndaj 17-vjeçarit filloi procedimi penal për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe po punohet për sqarimin e rrethanave dhe përgjegjësive të tjera administrative në raport me shkeljet.
Policia Rrugore këshillon të gjithë qytetarët që të mos reklamojnë në rrjetet sociale sjellje apo veprime që nxisin veprime të ndaluara kryesisht tek të rinjtë si dhe për shkak se jemi në fundjavë, në akset rrugore në drejtim të zonave bregdetare dhe turistike evidentohet fluks shumë i lartë i mjeteve, duhet që të gjithë drejtuesit e automjeteve të respektojnë sinjalistikën rrugore, të mos kryejnë parakalime të gabuara dhe të qëndrojnë në radhë ku lëvizja është e ngadaltë për shkak të ngarkesës në trafik, pasi në të gjitha rrugët e vendit ka radarë dhe prezencë të Policisë Rrugore, të pajisur edhe me dronë, dragera, kamera e aparate fotografike.