Vijon operacioni për parandalimin, konstatimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të kanabisit.
Në fazën e 19-të të këtij operacioni janë gjetur dhe asgjësuar 1213 rrënjë kanabis në 4 fshatra të ndryshme të Lezhës.
Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, vijon veprimet hetimore, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.
Njoftimi i policisë:
DVP Lezhë
Kontrolle intensive nga shërbimet e Policisë së Lezhës, të pajisura me dronë, në fshatra të thellë malorë, në kuadër të operacionit policor antikanabis të koduar “Imazhi”.
Finalizohet faza e 19-të e këtij megaoperacioni.
Asgjësohen nëpërmjet djegies, 1213 bimë narkotike cannabis sativa që u gjetën të kultivuara në tokë, në 4 fshatra të ndryshme.
Shërbime të Policisë së Lezhës, të pajisura me dronë, kanë vijuar kontrollet intensive në terren dhe nga ajri, me prioritet zonat e thella malore, me risk përsa i përket kultivimit të bimëve narkotike, në zbatim të planit operacional mbarëkombëtar që ka si objektiv parandalimin, konstatimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Nga këto kontrolle u finalizua faza e 19-të e megaoperacionit policor të koduar “Imazhi”, si rezultat i së cilës, janë gjetur të kultivuara në zona të pyllëzuara, në 4 fshatra në Lezhë, 1213 bimë narkotike cannabis sativa, konkretisht:
-në fshatin Mërqi, njësia administrative Kallmet, u gjetën të kultivuara 940 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa;
-në fshatin Gjobardhaj, njësia administrative Ungrej, u gjetën të kultivuara 130 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa;
-në fshatin Zimaj, njësia administrative Ungrej, u gjetën të kultivuara 110 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa;
-në malin e Jushit, fshati Torovicë, njësia administrative Balldre, u gjetën të kultivuara 33 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Bimët narkotike, pas kryerjes së veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies.
Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, vijon veprimet hetimore, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.