Policia i rrethon banesën te “5 Maji”, pronarja refuzon të dalë nga shtëpia, flet banori: Po na nxjerrin në rrugë

Dita e sotme është shoqëruar me tensione në zonën “5 Maji” në Tiranë mes banorëve, IKMT-së dhe policisë.

Sot është parashikuar shembja e 3 ndërtesave për t’i hapur rrugë projektit të rindërtimit.

Policia ka rrethuar zonën që në orët e para të mëngjesit, ndërsa banorët e kanë kundërshtuar këtë projekt që nga fillimi dhe prej gati 3 muajsh kanë zhvilluar protesta pasi sipas tyre nuk kanë arritur një marrëveshje me bashkinë.

Mësohet se policia ka rrethuar shtëpitë për t’i shembur, por një pronare refuzon të dalë nga banesa e saj. Policia është përpjekur te negociojë me të, por ajo nuk pranon ta lirojë shtëpinë.

Aksioni i IKMT-së ka sjellë përplasje mes banorëve dhe policisë dhe janë shoqëruar disa persona.

Në një prononcim oër media, një banor ka deklaruar se bashkia duhet të bëjë një dëgjesë publike për ta, duke kërkuar ndryshim të kontratës, të cilën e quajti të njëanshme. Ai tha se po i nxjerrin në rrugë të madhe.

“Unë kam lajmërim që duhet të firmos kontratë me bashkinë që në të ardhmen do ta jap shtëpinë. Unë nuk e kam firmosur kontratën sepse është e njëanshme. Ne kërkojmë që të merren vesh me ne për çdo problem. Për çdo akt. Bashkia duhet të bëjë dëgjesë publike me banorët.

Ata kanë nxjerrë një VKM që prona jote shkëmbehet me X pronë. Pa u marrë vesh me ne. Nëse ai ka vendosur me i prishur dhe me na nxjerrë jashtë në rrugë të madhe duhet të bëjë një aktmarrëveshje të ndershme dhe të ligjshme. Ne nuk e kërkojmë me zor as nderin as moralin. Të veprojë në bazë të ligjit”, thotë ai./albeu.com

Shtuar 19.01.2022 11:26

Tags: