Policia: Gjin Guri veç problemeve me drogën ka konflikt me nipin. Për çështjen e pronave në 2013-n e qëlloi me armë

Sulmi me armë ndaj Gjin Gurit në Dukagjin, ku mbeti i vrarë babai i tij Zef Guri, për policinë kriminale, lidhet me dy pista kryesore atë të konfliktit për pronësinë dhe  kultifimin e drogës.

Gjin Guri, objektivi i këtij atentati rezulton person me precedentë penalë në tregtinë e drogës.

Madje është një nga 60 personat e arrestuar gjatë operacionit antidrogë të kryer në vitin 2015 nga prokuroria e Shkodrës.

Por veç problemeve me drogën, Gjin Guri ka probleme të theksuara dhe brenda fisit të tij.

Kjo pasi në 13 tetor 2013 në Sallën operative të Policisë Shkodër është njoftuar se në fshatin Nicaj, komuna Shosh i gjykuari Gjin Guri ka qëlluar në oborrin e tij me armë zjarri nipin e tij, Petrit Guri, shkruan Ora News.

Në këto rrethana është shkuar në vendin e ngjarjes, në oborrin e banesës së shtetasit Zef Guri (babai i të gjykuarit), i cili është i rrethuar; mbi sipërfaqen e dheut u gjend një gëzhojë metalike, me ngjyrë bakri në formë shisheje me numura në fundin e saj 7.62 mm, e cila u etiketua me tabelën nr. 1, po ashtu në parahyrjen e oborrit u gjet një predhë metalike, në formë konike, si ato të fishekëve 7.62mm, e cila u etiketua me tabelën nr. 2, të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Po kështu janë pyetur me cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes i dëmtuari Petrit Guri, Katerina Guri (nëna e të dëmtuarit), nga të cilat ka rezultuar se shkak i konfliktit ka qenë mosmarrëveshja për vendin ku kullosnin lopët.

Është kryer akti i ekspertimit balistik i gëzhojave nr. 132, datë 29 tetor 2013 sipas të cilit: “1.Gëzhoja dhe predha objekt ekspertimi janë pjesë përbërëse të fishekëve luftarakë mod. 56, kal. 7.62 mm që përdoren si municione nga armët e zjarrit automatikët Kallashnikov e Zastava kal. 7.62 mm, pushkët mod. 63 e mod. 56 kal. 7.62 mm si dhe nga ML kal. 7.62 mm. 2. Gëzhoja dhe predha objekt ekspertimi janë të vlefshme për identifikimin e armës që i ka qitur.”

Pas kryerjes së veprimeve të plotë hetimore, Prokuroria Shkodër, ka paraqitur pranë gjykatës kërkesën për gjykimin e të pandehurit Gjin Guri, i cili akuzohet për kryerje të veprës penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje të armëve luftarake”.

Për këtë krim Gjin Guri është arrestuar dhe dënuar në mars 2015 me 2 vite burgim.

Ndërsa në muajin qershor 2015, ky dënim është ndryshuar nga gjykata e Apelit Shkodër, duke e dënuar Gjin Guri me 7 vite burgim.

Por pas ushtrimit të rekursit në Gjykatën e Lartë, në muajin Maj 2016 kjo gjykatë dënoi Gurin me 2 vite burgim.


Shtuar 27.09.2023 21:45