Policia gjen paratë por jo hajdutët që “zbrazën” kasafortën e zyrës së avokatisë, sekuestohen 30 mijë euro, 3 persona në kërkim

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim tre persona të cilët dyshohen se janë autorë të vjedhjes së një zyre avokatie.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas njoftimit të marrë se në një zyrë, disa shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur një shumë parash, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin e autorëve të dyshuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Office”.

Në kuadër të operacionit  “Office” u bë shpallja në kërkim e shtetasve E. (F). L., 40 vjeç, A. Rr., 51 vjeç, dhe E. Rr. (N)., 42 vjeçe, të tre banues në Tiranë.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, më datë 28.08.2023, kanë vjedhur 9000 euro, në kasafortën e një zyre avokatie. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. Rr., shërbimet e Policisë gjetën e sekuestruan 30 mijë euro të dyshuara të vjedhura, një automjet, veshje dhe mjete (kaçavida, dalta) që autorët i kanë përdorur gjatë vjedhjes.

Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./Albeu.com/


Shtuar 3.09.2023 10:16