“Policia e Shtetit e di të vërtetën për Vis Martinaj, por…”, eksperti i kriminalistikës: Për zhdukjen e tij u bashkuan disa grupe kriminale

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço i ftuar në News24, foli për krimin e organizuar gjatë vitit 2023.

Ai u shpreh se gjatë këtij viti krimi i organizuar është fuqizuar shumë dhe se grupet kriminale kanë funksionuar si organizata, familje të cilët bëjnë ndere ndaj njëri-tjetrit.

Karamuço u ndal te rasti i shumëpërfolur, për fatin e Ervis Martinajt, ku tha se për zhdukjen e tij, familje të tëra u bashkuan dhe krijuan një sindikatë.

“Krimi i organizuar është fuqizuar shumë. Organizimet për vrasjen e rivalëve bëhen nga ata që nuk janë pjesë e asaj zone. Ata janë të organizuar edhe në mënyrë transkombëtare. Funksioni i tyre është si familje, organizata dhe shkëmbejnë ndere me ata që i quajnë aleatë. Kemi rastin e zhdukjes së Ervis Martinajt, ku dyshohet që u bënë një sindikatë e tërë. Nuk ishte vetëm një familje, por u koordinuan disa për atë që mendohet e dyshohet se mund të ketë ndodhur.

Në Shqipëri nuk kemi vetëm rastin e Martinajt, por edhe 4 të tjerë që dyshohen se kanë të njëjtin fat, dhe nuk dihet nëse kanë vdekur apo janë gjallë. Kemi rastin e dy të zhdukurve në Sarandë, është dhe një person tjetër në Korçë që ka kryer një vrasje në Elbasan, i cili është në të njëjtët dritëhije. Prioriteti ka qenë për Ervis Martinaj, ndërkohë për të tjerët nuk thuhet shumë.

Nuk mund të flasim dot për organizata të mirëfillta, por mund të them se në Shqipëri numërohen rreth 20-22 organizata që kanë ulje ngritje në kuptimin e fuqisë. Kanë filluar transformohen dhe nuk kupton dot kush drejton kë. Ne kemi një zonë të qetë që ka një efekt të madh që është Fieri, e më pas Vlora”, u shpreh eksperti i kriminalistikës.

Ndërsa gazetari Igli Çelmeta tha se e vërteta mbi fatin e Ervis Martinajn po mbahet e fshehtë.

Sipas tij, shteti dhe autoritetet kanë informacione dhe e dinë të vërtetën e asaj që ka ndodhur me atë që njihej si “mbreti i lojërave të fatit” në vend.

“Shteti dhe policia e shtetit e dinë të vërtetën për fatin e Ervis Martinajt, por nuk e bëjnë publike. Se kur e bëjnë publike do ta shohim. Mendoj se ata kanë informacione se çfarë ka ndodhur me Martinajn”, u shpreh ai mes të tjerash.


Shtuar 29.12.2023 23:08