Policia e Maqedonisë së Veriut bllokon marihuanë me vlerë prej 600 mijë euro (VIDEO)

Në Maqedoninë e Veriut është ndërprerë nga Policia e Maqedonisë së Veriut transporti ndërkombëtar i narkotikëve në vlerë prej 600 mijë euro, për çka janë arrestuar gjashtë persona.

“Gjatë këtij aksioni është sekuestruar marihuanë në sasi prej rreth 200 kilogramëve me vlerë të përgjithshme prej rreth 600.000 eurove, kurse nga liria janë privuar gjashtë persona, shtetas të Maqedonisë dhe të Kosovës”, raportojnë nga Policia e Maqedonisë së Veriut, duke paralajmëruar edhe padi në bazë të nenit 215 nga Kodi Penal.

Transporti i drogës ishte realizuar nga Kosova në Maqedoninë e Veriut. Materialet e sekuestruara janë gjetur në automjetin “opel zafira” drejtuar nga shkupjani 51 vjeçari I.P., në “Turan” të udhëhequr nga shkupjani 30 vjeçar B.R, “Mercedesin” me shofer shkupjanin 36 vjeçar O.A. i cili ishte së bashku me shtetasin nga Kosova Xh.L. dhe “Mini Cooper” me ngasës shkupjanin 24 vjeçar B.R.

Policia raportoi që në shtëpitë e tyre janë gjetur edhe armë, paketime me narkotikë dhe pajisje për tregti të tyre.

“Gjatë bastisjes në shtëpinë e E.A. janë gjetur një pistoletë sinjalizuese i markës “Ekol” 9 mm me karikatorë të zbrazët, si dhe një pistoletë “Cërvena Zastava” 9 mm me një karikatorë me plumba, derisa në oborrin e shtëpisë është gjetur automjeti “bmw” i sjellur nga R. e Kosovës pa dokumentacionin e nevojshëm, gjatë së cilës nga Drejtoria e Doganave është konfiskuar për procedurë të mëtutjeshme”, sqarojnë nga Policia.