Dukagjini u trondit më 27 shtator 2023 nga vrasja e Zef Gurit dhe plagosja e djalit të tij, Gjin Guri.
Policia shoqëroi 4 persona lidhur me ngjarjen, por pas marrjes në pyetje i la të lirë.
Ndërsa në kërkim i shpall Gjovalin Guri.
Ky i fundit, edhe pse në arrati, ka folur për mediet dhe ka deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen për të cilën akuzohet.
Gjovalin Guri rrëfen për News 24 se në momentin kur ka ndodhur vrasja ka qenë në një shtëpi i fshehur ndërsa ngjarjen e ka marrë vesh përmes një telefonate.
Pas kësaj ngjarje të rëndë policia e Shkodrës tha se Gjovalin Guri është i dyshuar kryesor për shkak të një konflikti me djalin e xhaxhait për shfrytëzimin e një hapësire pyjore.
I dyshuari mohon këto akuza duke thënë se prej 12 vitesh nuk merret më me shfrytëzimin e pyllit.
Para dy vitesh Gjovalin Guri u akuzua për kultivimin kanabisi por edhe për ato akuza thotë se është i pafajshëm.
Prej asokohe vijon që të jetë në kërkim nga policia. Vrasja e xhaxhait Zef Guri dhe plagosja e djalit të xhaxhait Gjin Guri është një tjetër çështje që tashmë sipas policisë rëndon mbi Gjovalinin, gjë e cila bën që 40-vjeçari të mos dorëzohet nga frika e padrejtësisë.
I dyshuari ka vetëm një kërkesë për shtetin shqiptar që të bëhet drejtësi dhe të hiqen akuzat ndaj tij sepse pretendon se është i pafajshëm qoftë për vrasjen por edhe për kanabisin ndërsa rrëfen edhe jetën e vështirë në arrati prej dy vitesh.
40-vjeçari bën apel që policia të gjejë autorët e vërtetë. Policia vendore e Shkodrës deri më tani nuk ka prova konkrete lidhur me vrasjen e Zef Gurit dhe plagosjen e djalit të tij Gjin Guri. Arsyeja e shpalljes në kërkim të Gjovalin Gurit, kushëri i parë i të dëmtuarit lidhet vetëm me një debat që mendohet se vijon prej vitesh mes tyre për shfrytëzimin e një hapësire pyjore në njësinë Shosh të Dukagjinit, gjë e cila hidhet poshtë nga 40-vjeçari i dyshuar./Albeu.com/