Alfred Pirra ishte shqiptari që u kap në muajin shkurt duke kultivuar lëndë narkotike, në një shtëpi bari në Angli.
Sipas mediave britanike, ai kishte kultivuar lëndë narkotike me vlerë rreth 25 mijë paund.
Sipas informacioneve të marra deri më tani, një gjykatë britanike në Bolton ka shqyrtuar sot çështjen e tij.
Përmes një lidhje online nga burgu, ai i tha gjykatësve se kishte punuar me qëllim për të shlyer borxhin tek trafikantët që e kishin futur atë në Britani në mënyrë kontrabandë.
Më tej në pretendimet e tij ai u shpreh se i kishin kërcënuar edhe familjen nëse nuk gjente paratë për të shlyer borxhin.
Droga që iu kap 26-vjeçarit u gjet në dy dhomat e gjumit të një banese, ku ishin plotësuar të gjitha kushtet me një sistem të sofistikuar të ndriçimit dhe ventilimit.
Në portofolin e shqiptarit, policia gjeti 795 paund plus një patentë shoferi italian në emër të Andrea Belotti.
Ai u deklarua fajtor për kultivimin e kanabisit, ndersa avokati mbrojtës tha se Pirra nuk kishte planifikuar të kryente krim në Mbretërinë e Bashkuar.
“Ai donte të ishte në këtë vend për të përmirësuar jetën e tij, jo për të vepruar në mënyrë kriminale në lidhje me drogën”
Në përfundim shqiptari u dënua me gjashtë muaj burg, kohë që ai tashmë e ka kryer në paraburgim.
Sidoqoftë, gjykata vlerësoi se ai do të vazhdojë të mbahet i ndaluar derisa ata të vendosin nëse do ta dëbojnë apo jo./albeu.com/