Po “Prigozhinët” e tjerë? Pse Putini përballet tani me rreziqe nga shumë qendra pushteti

Nga Ilya Matveev “Worldcrunch

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Në artikullin e tij  me titull “Rusia në pragun e mijëvjeçarit të ri” botuar në dhjetor 1999, Vladimir Putin shkroi ndër të tjera:”Rusia ka nevojë dhe duhet të ketë një fuqi shtetërore  të fortë”. Ai argumentoi se qeverisja e fortë është e natyrshme për historinë dhe shoqërinë ruse, dhe se rivendosja e një shteti të dorës së fortë ishte detyra e tij kryesore.

Që nga ajo kohë “fuqia e fortë shtetërore” dhe “vertikaliteti i pushtetit”, janë bërë gurë themeli të qëndrueshëm të regjimit të Putinit. Ndaj është e çuditshme është që në vitin e 23-të të Putinit në pushtet, një kompani private ushtarake luajti një rol kyç në luftën në Ukrainë.

Në kulmin e tij, numri i trupave të mercenarëve të Wagner arriti në 50.000, ose afro 1/3 e forcës pushtuese të 24 shkurtit 2022. Dhe më 23 qershor, Wagner tentoi të kryente një grusht shteti. Ai pushtoi një qendër të madhe rajonale, nisi të marshonte me tanke dhe pajisje të tjera të rënda ushtarake drejt Moskës, dhe rrugës rrëzoi disa helikopterë, një avion të Ministrisë së Mbrojtjes dhe vrau të paktën 13 pjesëtarë të ushtrisë ruse.

Monopoli i dhunës, që përkufizon tradicionalisht shtetin sipas ideve të sociologut gjerman Max Weber u sfidua hapur, dhe “vertikaliteti i pushtetit”  u pa të ishte aq i brishtë sa një filxhan prej porcelani. Këtë herë kupa nuk u thye, por shfaqi të çarat e saj të shumta.

Pamjet e Prigozhin duke kritikuar zëvendësministrin rus të Mbrojtjes, Yunus-bek Evkurov, dhe të ushtarëve të tij që marshonin të papenguar nëpër qytetet ruse, dhe që gati arritën në Moskë, kanë një mbresë të thellë dhe të qëndrueshme tek elitat në kryeqytet dhe rreth Rusisë.

Dhe brishtësia e pushtetit mund të kthehet përfundimisht në një profeci vetëpërmbushëse. Në fjalimin e tij të posaçëm pas fillimit të kryengritjes së Wagner, që zgjati vetëm 5 minuta, Putin foli për revolucionin e vitit 1917 dhe për rrezikun e tradhtisë. Ai u kujtoi rusëve se ata duhet të shqyrtojnë historinë e tyre.

Por kapitulli më i fundit i saj – 23 vitet e fundit të mbretërimit të tij – është edhe më i rëndësishmi. Nxjerrja në pah e brishtësisë së shtetit rus nga Prigozhin, është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të vetë Putin në formësimin e formës aktuale të autoritetit shtetëror.

Në vitin 2008, sociologu politik rus Vadim Volkov botoi një artikull me titull “Korporatat shtetërore:Një tjetër eksperiment institucional”. Ai argumentonte se nga mesi i viteve 2000, rritja e çmimeve të energjisë, i dha mundësi qeverisë ruse të grumbullonte rezerva të konsiderueshme financiare.

Problemi ishte si të shpenzoheshin ato. Ndërsa Putin e pranoi domosdoshmërinë e modernizimit të ekonomisë ruse, ai nuk i besonte bizneseve private dhe aparatit tradicional shtetëror. Prandaj lindën si zgjidhje korporatat shtetërore, të cilat në thelbin e tyre ishin makineri për përvetësimin e parave publike, pasi mbroheshin si nga konkurrenca e tregut, ashtu edhe nga kontrollet e qeverisë.

Brenda zonës gri, pjesëmarrësit veprojnë jashtë kufijve të forcave të tregut dhe rregulloreve formale, duke i shndërruar në gurin e themelit të qeverisjes lidhjet personale të presidentit me krerët e kompanive shtetërore. Interpretimi i Putinit për “shtetëroren”, devijon nga ideali i Weber për një trupë racionale, meritokratike të burokratëve, dhe në vend të saj e vë më shumë theksin tek interesat kombëtare.

Dhe në ndjekje të këtyre interesave konsiderohet i pranueshëm çdo mjet, pa marrë parasysh formalitetet. Skepticizmi i Vladimir Putin ndaj institucioneve shtetërore bëhet i dukshëm kur sheh rastin e kompaninë Rosneftegaz. Në vitin 2016 ai e pranoi se qeveria përdor fondet e Rosneftegaz si rezervë dhe i përdor ato në aspekte të caktuara.

Përfaqësuesit e zonës gri kanë marrë tashmë pjesë në kryengritje – edhe pse jo të armatosur – kundër qeverisë ruse. Për shembull, krerët e kompanive shtetërore ( Hekurudhat Ruse , Rosneft dhe Gazprom) refuzuan të publikonin pagat e tyre, pavarësisht se kjo gjë iu kërkua nga kryeministri i atëhershëm Dmitry Medvedev.

Në vitin 2015, qeveria ruse u detyrua të pranonte në thelb pafuqinë e saj përballë miqve të fuqishëm të Putinit. Po çfarë e motivoi Putinin të krijonte këtë zonë gri? Një shpjegim është se një sistem i tillë i shërben një qëllimi funksional; perspektiva e përfitimeve personale, krijon një nxitje për të vepruar në interesin më të mirë të drejtorit.

Në këtë rast, drejtori është bosi:Vladimir Putin. Por sistemi ka edhe kosto. Këtu përfshihet korrupsioni, vjedhjet nga shteti, një organ menaxherial nën nivelin e kërkuar, paaftësia për të mbajtur një axhendë të qëndrueshme qeveritare dhe në fund të fundit shfaqja e çarjeve në themelet e sistemit shtetëror, siç u pa nga rebelimi i një figure të zonës gri si Yevgeny Prigozhin.

Grupi Wagner shfaq tipare të “sistemit rus”, me tiparet tipike të kompanive ushtarake private (PMC). Kjo zonë gri ekziston deri diku edhe në vendet e zhvilluara, por rëndësia e saj është shumë më e vogël në krahasim me Rusinë. Për shembull, aktivitetet subversive dhe praktikat shfrytëzuese të vëzhguara në Afrikë nga Wagner, janë të ngjashme me ato të kompanisë ushtarake private britanike Sandline.

Por kompanitë private ushtarake, kanë luajtur një rol vendimtar në luftën ruso-ukrainase. Natyrisht, Wagner ka disa karakteristika që e veçojnë nga të tjerët. Asnjë vend tjetër nuk përdor kompani private një shumëllojshmëri të tillë njësish, siç është aviacioni luftarak.

Asnjë kompani nuk rekruton të burgosur me premtimin e faljes kur të mbarojë kontrata. Dhe asnjë PMC tjetër nuk financohet nga kontrata shtetërore të korruptuara. Rebelimi i Wagner ekspozoi dobësinë e shtetit rus .

Pas fasadës monolitike të Putinizmit, ka klane, rrjete dhe korporata që ndjekin objektivat e tyre, dhe që janë të afta ta çojnë vendin drejt rrënimit dhe luftës civile. Edhe agjencitë e sigurisë dhe të zbatimit të ligjit janë të ndara jo vetëm sipas korporatave, por ndikohen edhe nga përkatësitë klanore dhe patronazhiste.

Marrë me shkurtime

/albeu.com


Shtuar 3.07.2023 18:11

Tags: