Pas debatit të fortë në Komisionin e Ligjeve, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, reagoi sërish në rrjetet sociale, duke e cilësuar procesin e miratimit të ligjit për Qeverisjen Elektronike si një përpjekje të nxituar për të shmangur përgjegjësinë dhe hetimin.
“Së fundmi, me një shpejtësi të jashtëzakonshme – me shpejtësinë e atyre që duan t’i shpëtojnë ligjit, të mbrojnë veten nga hetimi – në Parlamentin e Shqipërisë është duke u diskutuar ligji për Qeverisjen Elektronike”, – shprehet Tabaku në video.
Sipas saj, projektligji krijon një strukturë të re biznesi që do të operojë dhe mirëmbajë të gjithë sistemet dhe të dhënat e Republikës së Shqipërisë, duke përfshirë databaza shtetërore, të dhëna personale, dosje hetimore dhe sisteme të ndjeshme si TIMS.
“Ligji i qeverisjes elektronike krijon një biznes i cili do të ketë në dorë të operojë, të mirëmbajë të gjithë sistemet, të gjithë të dhënat e Republikës së Shqipërisë. Çfarë do të thotë kjo? Nëse deri dje një individ po e kryente këtë në mënyrë jo ligjore, tashmë është ligjëruar ta bëjë këtë”, – thekson ajo.
Tabaku e lidh këtë zhvillim me hetimet e mëparshme për menaxhimin e tenderave në fushën e teknologjisë, duke argumentuar se në vend që të ketë auditim dhe transparencë, po krijohet një mekanizëm i ri që formalizon atë që më parë ishte nën akuzë.
“Në qoftë se deri dje një grup i strukturuar kriminal menaxhonte tenderat, i ndante tenderat, tashmë do ta bëjë këtë në mënyrë ligjore, nëpërmjet ligjit që po debatohet”, – deklaron Tabaku.
Ajo paralajmëron se rreziku shkon përtej tenderave: bëhet fjalë për aksesin dhe kontrollin mbi të dhënat personale të qytetarëve dhe informacionin strategjik të shtetit.
“Nëse deri dje të dhënat personale të shqiptarëve ishin të rrezikuara… sot janë të ligjëruara që t’i kenë e t’i fusin duart tek të dhënat e shqiptarëve”, – shprehet ajo.
Në përfundim, Tabaku e cilësoi situatën si një shenjë të qartë të kapjes së shtetit.
“Ky është shtet i kapur. Këtë duhet ta ndryshojmë. Nuk na duhet një Republikë e të Korruptuarve. Nuk na duhet një qeveri e të korruptuarve. Na duhet Republika e Shqipërisë, të drejtat që kanë e që duhet të kenë qytetarët e Shqipërisë”, – përfundon ajo.
