Po ktheheshin nga festa e Krishtlindjeve/ Familja shuhet në një aksident tragjik, mbijeton vetëm…

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Teksasin, në Shtetet e Bashkuara, ku tre anëtarë të një familjeje humbën jetën, pasi automjeti i tyre u godit nga një shofer i dehur, ndërsa po ktheheshin nga një festë e Krishtlindjeve.

Viktimat janë 26-vjeçari Diego Pena Jr., bashkëshortja e tij 27-vjeçare Lizbeth Rodriguez Contreras dhe vajza e tyre 5-vjeçare, Camila Pena.

I vetmi i mbijetuar nga aksidenti është djali i tyre 3-vjeçar, Diego, i cili ndodhet nën kujdes mjekësor.

Aksidenti ndodhi rreth orës 2:00 të mëngjesit të së shtunës, në një autostradë të Teksasit.

Sipas autoriteteve policore, përplasja u shkaktua nga 27-vjeçarja Majesty Faith Lee, e cila dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit dhe kaloi në korsinë e kundërt të lëvizjes.

Policia bëri të ditur se nëna dhe vajza ndërruan jetë menjëherë në vendngjarje, ndërsa Diego Pena Jr. u transportua në spital në gjendje të rëndë, ku më vonë humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.

Shoferja e dyshuar është arrestuar dhe po mbahet në burgun e Qarkut Fort Bend, me një garanci prej 1.050.000 dollarësh.

Sa i përket fëmijës 3-vjeçar, ai po trajtohet në spital dhe pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të plagëve të marra në aksident.

Gjendja e tij shëndetësore raportohet si e qëndrueshme. Duke komentuar ngjarjen, sherifi i Qarkut Fort Bend, Eric Fagan, tha se kjo tragjedi shërben si një paralajmërim i fortë për pasojat e drejtimit të automjetit nën ndikimin e alkoolit.

“Kjo është një kujtesë e dhimbshme se sa shpejt mund të ndryshojë jeta kur ngasim nën ndikimin e alkoolit dhe pse është thelbësore të bëjmë zgjedhje të përgjegjshme”, deklaroi ai.


Shtuar 26.12.2025 08:11