“Po kërkojmë një zgjidhje”, telefonatat nga Washingtoni që lëvizën qëndrimin e Kurtit për zgjedhjet serbe

Presioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka filluar ta shkrijë qëndrimin e Qeverisë së Kosovës në krye me Albin Kurtin sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë më 3 prill. Qëndrimi i ngrirë i Qeverisë së Kosovës se serbët mund të votojnë vetëm përmes postës apo zyrës ndërlidhëse në Prishtinë ka filluar të bymehet dhe tashmë shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, po thotë se bashkë me ndërkombëtarët janë duke kërkuar një zgjidhje që s’e cenon shtetin e Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Lideri i VV’së ka thënë se do të gjendet një zgjidhje si shprehje të vullnetit të mirë, që do të jetë brenda Kushtetutës, meqë s’dëshiron që asnjë qytetari të Kosovës me nënshtetësi serbe t’i privohet e drejta për të votuar.

“Ne kemi shprehur qëndrimin tonë dhe konsiderojmë që në njërën anë nuk duhet që t’u pamundësojmë serbëve në Kosovë, që përveçse kanë nënshtetësinë e Kosovës dhe atë të Serbisë, ta kenë të drejtën e votës, mirëpo në anën tjetër kushtetutshmëria, ligji në Kosovë, rezoluta e fundit e 15 janarit, neve na e obligojnë bazën e çfarëdo zgjidhje që do të marrim në të ardhmen. Jemi në kontakt me ambasadat e QUINT-it dhe BE-së këtu në Kosovë në mënyrë që të shohim se çfarë zgjidhje mund të gjejmë që edhe të drejtat të mos shkelen, por kurrsesi të mos cenohet shtetësia, kushtetutshmëria, sundimi i ligjit dhe rezoluta… Ne do ta gjejmë një zgjidhje për këtë dhe konsiderojmë që ajo zgjidhje nënkupton vullnetin e mirë, por para se të gjitha, edhe dysheme e tavan është kushtetushmëria dhe sundimi i ligjit. Nuk duam asnjë qytetar i Kosovës që e ka nënshtetësinë e Serbisë të privohet nga e drejta e votës”, ka thënë sot Kurti.

Ky qëndrim i kryeministrit Kurti vjen pas dy telefonatave që i ka marrë nga këshilltari speical i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet.

Chollet pas telefonatës së dytë të zhvilluar dje me kryeministrin, ka potencuar se ka pasur një bisedë të mirë me kryeministrin Kurti, dhe ka theksuar se është e rëndësishme që serbët që jetojnë në Kosovë e që kanë të drejtë vote t’iu mundësohet pjesëmarrja në zgjedhjet e Serbisë.

“Pata një bisedë të mirë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti sot. E falënderova atë për mbështetjen e tij të fortë në çështjen e Ukrainës dhe theksova rëndësinë e sigurimit të votuesve me të drejtë vote në Kosovë që të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme kombëtare serbe të 3 prillit”, ka shkruar zyrtari amerikan në Twitter.

Telefonatën e parë për çështjen e njejtë, Chollet ia kishte bërë Kurtit sa ky i fundit ishte në Samitin e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë. Chollet kishte përmendur praktikat e mëhershme ku votat e zgjedhjeve serbe në Kosovë ishin grumbulluar nga OSBE-ja.

Nga Qeveria e Kosovës ka pasur qëndrim të prerë se me zgjedhjet serbe të prillit do të veprohet sikur me referendumin.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media të mbajtur më 23 shkurt 2022, kur ishte pyetur për mbajtjen e zgjedhjeve të 3 prillit, kishte thënë se serbët mund të votojnë përmes postës ose zyrës ndërlidhëse dhe se s’ka diçka tjetër lidhur me këtë çështje.

“Ajo do të jetë në linjë me kushtetutën e saj. Konsiderojmë që është jashtëzakonisht e rëndësishme që të respektohet Kushtetuta e Kosovës e ligjet në fuqi. Serbët e Kosovës votim me postë ose te zyra ndërlidhëse. Nuk ka diçka tjetër në këtë drejtim”, ka thënë ajo në konferencë për shtyp.

Qëndrim i ngjajshëm ishte mbajtur edhe për referendumin serbi i cili s’u lejua dhe që u ndalua edhe përmes një rezolute në Kuvend të sponzorizuar nga Vetëvendosje e Qeveria Kurti që ishte përkrahur edhe nga LDK-ja e AAK-ja.

Ka qenë ambasadori i SHBA-së në OSBE, Michael Carpenter, i pari që e ka kërkuar gjetjen e një zgjidhje që do të rregullonte çështjen e votimit mes Kosovës dhe Serbisë, në një reagim që e kishte bërë pas vendimit të institucioneve të Kosovës për të mos e lejuar referendumin e Serbisë. /Express


Shtuar 15.03.2022 17:45