Po futbollistët e kampionatit shqiptar kur do të luajnë në Kombëtare?!

Koment nga Klajdi Maho

Skuadra përfaqësuese e Shqipërisë është duke shënuar rezultate shumë të mira tani. Jemi në vend të parë në grup dhe vetëm ndonjë kombinim i çmendur, thuajse i pamundur do të na bënte të hiqnim dorë nga ëndrra për në Berlin.

Duhet theksuar se Sylvinhno ka bërë një përzgjedhje të mirë të lojtarëve, por mbi të gjitha për ngritjen e frymës së grupit në skuadër.

Kombëtarja është aq mirë sa edhe Rudi Vata që më herët shprehej se i biri Rocco, nuk do të luante me Shqipërinë, tashmë ka nisur lobingun që Sylvinho ta thërrasë gjatë ndeshjeve në vazhdim. Fundja, Berlini është tundim i madh dhe çdokush që jep shpirtin për fanellën, e meriton atë.

Por, shkaku i suksesit të kombëtares duket se është edhe dobësia e saj dhe e futbollit “made in Albania” në fakt. Jemi mësuar që në raste euforie si kjo të thuhen fjalë të mira. Madje, parimi që fituesi nuk gjykohet, dël përherë më shumë përpara si një argument i padiskutueshëm.

Mirëpo, mes vargjeve të mrekullueshme “Mora fjalë” duhet të gjejmë guximin të pyesim se përse nuk ka edhe futbollistë nga kampionati vendas në kombëtare.

Këtë vitin e fundit, Presidenti i Republikës ka dekretuar dhënien e shtetësisë për 17 lojtarë me origjinë nga trojet në mënyrë që të mund të luajnë me Kombëtaren e Futbollit. Sipas të dhënave, duket se janë edhe disa emra të tjerë, të cilat kanë shkuar ose do të shkojnë në tavolinën e Begajt dhe presin firmën e tij, e cila do të jepet nëse futbollistët plotësojnë ato dy kushtet minimale: mosha mbi 18 vjeç dhe të mos përbëjë kërcënim për rendin publik.

Për çfarë harxhohen kaq shumë para nëse kampionati vendas i futbollit konsiderohet joekzistent kur bëhet fjalë për përzgjedhjen e lojtarëve që veshin bluzen kuqezi apo kur bëhet njëmbëdhjetëshja që zbret në fushë?

Ekipe si Tirana, Partizani dhe të tjera kanë plotë talente mes tyre, por duket se të tillë futbollistë nuk janë në radarin e atyre që bëjnë përzgjedhjet për në kombëtare.

 E nëse do të vijojmë ta furnizojmë kombëtaren me futbollistë nga jashtë, pse nuk i vihet “dryni” më mirë kampionatit vendas? /albeu.com


Shtuar 31.10.2023 20:09