Një turiste gjermane, e cila ishte duke eksploruar në këmbë “Kanionin e Langaricës” në Përmet, është rrëzuar dhe për pasojë është dëmtuar.
Është dashur ndërhyrja e policisë, për t’i dhënë ndihmën turistes.
Pasi është nxjerrë nga kanioni është transportuar për në spitalin e Përmetit, aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
Njoftimi i policisë:
Më datë 13.09.2022, rreth orës 11:00, në sallën operative Përmet ka ardhur një telefonatë se një turiste gjermane, duke eksploruar me këmbë zonën e quajtur “Kanioni i Langaricës”, në Përmet, ishte rrëzuar dhe për pasojë ishte dëmtuar në këmbë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet janë nisur në drejtim të zonës ku ndodhej turistja gjermane. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, në bashkëpunim me shërbimin e Urgjencës Përmet, kanë ndërhyrë në zonë dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e turistes, në Kanionin e Langaricës.
Punonjësit e Policisë, së bashku me shërbimin e Urgjencës, e kanë nxjerrë nga kanioni dhe më pas e kanë transportuar për në spitalin e Përmetit, shtetasen gjermane, e cila aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. DVP Gjirokastër fton qytetarët që për çdo rast nevoje për ndihmë të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.