Plas sherri në Bilisht, përdoren thika dhe sende të forta, disa të plagosur

Një sherr mes disa personave me pasojë plagosjen e dy prej tyre ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të mërkure në Bilisht.

Sipas raportimeve, tre persona kanë sulmuar me sende të forta një 39-vjeçar me inicialet G.M., duke i shkaktuar dëmtime në trup. 39-vjeçari raportohet se ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur njërin prej autorëve.

Burime bëjnë me dije se Trajan Çeliku, i njohur nga policia si person problematik, së bashku me dy persona të tjerë ka dhunuar 39-vjeçarin.

Konflikti dyshohet se ka shpërthyer për motive të dobëta dhe nuk është hera e parë që palët përfshihen në përplasje. Sherri nisi me debate verbale, por shpejt degjeneroi në përdorimin e sendeve të forta.

Çeliku fillimisht është konfliktuar me 39-vjeçarin në mëngjes dhe më pas është rikthyer bashkë me dy persona të tjerë, duke përshkallëzuar sherrin. Në këtë moment, 39-vjeçari ka përdorur thikën duke plagosur njërin prej tyre.

Të gjithë personat e përfshirë janë dërguar për mjekim në spital dhe më pas janë shoqëruar në Komisariatin e Devollit, ku do të merren në pyetje për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes.


Shtuar 1.10.2025 21:07

Tags: ,