Plas sherri mes 5 personave në Laç, arrestohet Klajdi Rryta/ Policia i gjen pistoletën, në kërkim 4 persona të tjerë

Një konflikt mes 5 personave është regjistruar së fundmi në Laç. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00 në rrugën “Kurbini”, ndërsa menjëherë ka ndërhyrë policia për parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Sakaq, policia ka arrestuar Klajdi Rryta alias Klajdi Tusha 37 vjeç, ndërsa në kërkim janë shpallur 4 persona të tjerë, konkretisht shtetasit E. Sh., 29 vjeç; E. Sh., 34 vjeç; si dhe E. R., 32 vjeç.

37-vjeçarit gjithashtu i është sekuestruar dhe një armë zjarri e tipit “Glock” fishek në fole gati për qitje. Referuar raportimit të policisë, nga konflikti nuk ka persona të lënduar.

Ndërkohë, burime për media raportojnë se ka pasur dhe të shtëna me armë zjarri në ajër.

Njoftimi i policisë:

Pas njoftimit për një konflikt fizik ndërmjet disa shtetasve, rreth orës 11:00, në rrugën “Kurbini”, Laç, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin kanë ndërhyrë menjëherë, duke parandaluar përshkallëzimin e konfliktit fizik ndërmjet 5 shtetasve, gjatë të cilit dyshohet se është qëlluar edhe me armë zjarri.

Nga veprimet e shpejta u kap dhe u vu në pranga shtetasi K. R., alias K. T., 37 vjeç, banues në Tiranë, të cilit iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri e tipit “Glock”, me fishek në fole gati për qitje.

Nga të dhënat e para rezulton se shtetasit e tjerë të përfshirë në këtë konflikt, të identifikuar me iniciale G. D., 27 vjeç, banues në Tiranë; E. Sh., 29 vjeç; E. Sh., 34 vjeç; si dhe E. R., 32 vjeç, banues në Laç, janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt, nga i cili nuk ka të dëmtuar.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”, të kryera në bashkëpunim.


Shtuar 16.08.2025 15:54

Tags: ,