Planifikon të blejë vilë në Palasë? Meloni: E pavërtetë, nuk e kam menduar asnjëherë

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka përgënjeshtruar lajmin se po planifikon të blejë vilë në Palasë.

Sipas gazetës italiane, Corriere della Sera, Meloni është shprehur e tronditur nga lajmi i rremë dhe lehtësia me të cilin u përhap ai.

“Nuk është absolutisht e vërtetë. Si mund të jepen si lajm gjërat që nuk i kam menduar asnjëherë”,  ka thënë kryeministrja italiane.

Pak ditë më parë gazeta ‘Il Foglio’ publikoi një artikull sipas të cilës kryeministrja italiane po blinte një vilë me pishinë në bregdetin e Palasës.

Sipas gazetës, e cila i referohej burimeve politike dhe diplomatike nga Tirana, investimi i Melonit do të çimentonte edhe më tej marrëdhënien e saj me kryeministrin Edi Rama.

Por, sipas Corrieres të gjitha këto janë të pavërteta dhe pjesë e një fushate shpifje mbi kryeministren italiane.


Shtuar 18.08.2024 11:30