Plani i Roman Abramovich për të shpëtuar pasurinë e tij

Roman Abramovich duket se po përgatit një plan për të shpëtuar pasurinë e tij, pas sanksioneve të vendosura nga Mbretëria e Bashkuar.

Duke qenë një njeri i afërt me presidentin Putin, Abramoviç duket se po merr një rol të rëndësishëm në bisedimet e paqes.

Në muajin e fundit ai ka udhëtuar në Rusi, Turqi dhe Izrael, dhe, sipas informacioneve të siguruara nga “Financial Times”, biznesmeni rus është takuar dy herë në Kiev me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili javë më parë i bëri thirrje Perëndimit që të heqë sanksionet ndaj ish-pronarit të Chelsea, në mënyrë që ai të lehtësojë bisedimet e paqes me Kremlinin.

Pikërisht, një nga informacionet e fundit për miliarderin rus ka të bëjë me takimin që ai pati me delegacionin ukrainas ditë më parë. Në të, siç publikonte “ëall Street Journal”, ai dhe dy anëtarë të delegacionit ukrainas shfaqën shenja të “helmimit me agjentë kimikë”. Kremlini deklaroi se Abramovich nuk është një anëtar zyrtar i delegacionit rus që negocion me Ukrainën, por vepron si një lloj ndërlidhësi.

Mirëpo, siç raporton “Financial Times”, kritikët e Abramovich thonë se këto janë manovra të kryera prej tij për të ruajtur asetet financiare jashtë vendit. “Unë nuk jam i sigurt se deri në çfarë mase pjesëmarrja e tij në këtë ndërmjetësim është reale dhe efektive” tha Vladimir Ashurkov, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Kundër Korrupsionit, të themeluar nga Alexei Navalny.

Nga ana tjetër, në një nga bisedimet e fundit me delegacionin ukrainas, Abramovich preku edhe çështjen e korridorëve humanitarë në Mariupol, një nga qytetet e rrethuar dhe të sulmuar më shumë nga trupat ruse. Sipas mediave të sipërpërmendura, Kievi mendon se Roman Abramovich po impenjohet si ndërmjetës vetëm sepse e sheh si mundësi unike që të rimarrë pasuritë që iu konfiksuan me fillimin e ofensivës ushtarake në Ukrainë.

Një muaj më parë, Roman Abramovichit iu ngrinë asetet në Mbretërinë e Bashkuar, duke u larguar edhe nga klubi i futbollit Chelsea. Ndërkohë që në të njëjtën kohë iu ndalua kryerja e transaksioneve financiare me kompani dhe individë britanikë. Gjithashtu, pasi u përfshi në listën e të sanksionuarve nga BE-ja, Brukseli ia ndaloi hyrjen në çdo vend anëtar të organizatës.