Mëngjesin e sotëm, një ngjarje e rëndë është regjistruar në një lokal në Borsh, ku një konflikt mes tre miqsh ka përfunduar me të shtëna me armë zjarri dhe një person të plagosur.
I plagosur ka mbetur Erlad Shullazi, 33-vjeç, me origjinë nga Kruja, i cili ka marrë një plumb në dorë.
Ai është transportuar menjëherë në spital, ku po merr ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas të dhënave paraprake, konflikti ka ndodhur gjatë konsumimit të alkoolit mes tre personave.
Në rrethana ende të paqarta, Hekuran Çelaj, 42-vjeç, ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të shokut të tij, duke e plagosur.
Policia ka reaguar menjëherë, duke arrestuar autorin e dyshuar, Hekuran Çelaj, ndërsa është ndaluar edhe shoku i tyre i tretë, Albert Dollaku, për t’u marrë në pyetje lidhur me rrethanat e ngjarjes.
Hetimet vijojnë për të zbardhur motivet e konfliktit dhe për të sqaruar plotësisht dinamiken e ngjarjes.
“Borsh, Himarë/Falë veprimeve të shpejta hetimore, identifikohet dhe shoqërohet në Polici autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të një shtetasi, pas një konflikti të ndodhur në Borsh.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, pas njoftimit për një konflikt të ndodhur në një lokal në Borsh, rreth orës 02:20 të datës 31.07.2025, janë angazhuar menjëherë, duke shkuar në vendngjarje.
Nga veprimet hetimore paraprake dhe këqyrja e pamjeve filmike, dyshohet se pas një konflikti midis disa shtetasve, shtetasi H. Ç. ka plagosur me armë zjarri automatike, shtetasin E. Sh., 33-vjeç, banues në Krujë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autori i dyshuar, shtetasi H. Ç., 42 vjeç, banues në Borsh, është lokalizuar dhe shoqëruar në ambientet e DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale. Gjithashtu, janë shoqëruar edhe disa shtetas të tjerë të përfshirë në konflikt. Grupi hetimor, i përbërë nga specialistë për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave, gjetjen e armës së zjarrit të dyshuar të përdorur dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje“, njofton policia.
Ngjarjet kriminale zhvendosen drejt bregdetit
Ditët e fundit janë shtuar konfliktet, sherret por edhe ngjarjet kriminale kryesisht në bregdetin e jugut duke sjellë pasiguri për jetën e pushuesve të tjerë.
Edhe mbrëmjen e djeshme një përleshje fizike mes disa të rinjve ka ndodhur pranë një hoteli në Dhërmi, duke tronditur pushuesit vendas dhe të huaj.
Dy palët përfshihen në një sherr masiv me grushte e shkelma një skenë e papërshtatshme për çdo vend turistik.
Ngjarja ndodhi në prani të turistëve, disa prej të cilëve duken të habitur e të shqetësuar nga dhuna që shpërtheu.