Plagosën tre të rinj afër shkollës, lirohen dy adoleshentët në Shkodër

Gjykata e Shkallës së Parë, ka vendosur lirimin me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për dy të rinjtë Klevin Thepi, 24 vjeç, dhe Doronesto Kulla, 19-vjeç, të dyshuar si organizatorët kryesorë të rrahjes masive mes adoleshentësh, e ndodhur disa ditë më parë në qytetin e Shkodrës, pranë shkollës së mesme “Shejnaze Juka”.

Ngjarja përfshiu rreth 15 të rinj, të ndarë në dy grupe, kryesisht 17–18 vjeç, të cilët u konfliktuan fillimisht me grushte dhe më pas me sende të forta, ndërsa gjatë përleshjes është përdorur edhe armë e ftohtë (thikë).

Si pasojë e këtij konflikti, tre adoleshentë mbetën të dëmtuar lehtë dhe u transportuan në spitalin rajonal të Shkodrës, ku morën ndihmën mjekësore dhe tashmë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Sipas hetimeve, konflikti dyshohet se ka pasur zanafillë një përplasje të mëparshme mes nxënësve. 19-vjeçari, i identifikuar si Doronesto Kulla dyshohet se ka shkuar në ndihmë të vëllait të tij, një 17-vjeçari nxënës i shkollës “Shejnaze Juka” duke u përfshirë në përleshje së bashku me persona të tjerë.

Pamjet filmike tregojnë momentin kur dy grupet bashkohen dhe nisin përplasjen fizike, e cila zgjat rreth një minutë, përpara se të shpërndahen.

Menjëherë pas ngjarjes, forcat e Policisë së Shkodrës dhe efektivët e njësisë “Shqiponja” ndërhynë në vendngjarje, duke sekuestruar kamerat e sigurisë dhe duke nisur hetimet.

Fillimisht u arrestuan dy të rinjtë e dyshuar si organizatorë, Klevin Thepi dhe Doronesto Kulla. Për pesë shtetas të mitur (katër 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar) u nis procedimi penal në gjendje të lirë.

Paralelisht, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materiale në Prokurori për një prej 17-vjeçarëve, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Policia ka identifikuar edhe persona të tjerë të përfshirë në konflikt, ndërsa vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Arsyet e sakta të rrahjes mbeten ende të paqarta, ndërsa dyshohet për një konflikt për motive të dobta.


Shtuar 15.12.2025 12:05