Në pak ditë, dy ngjarje të rënda kanë tronditur opinionin publik, të moshuar të vetmuar, u gjetën pa shenja jete në banesat e tyre nga policia e Korçës.
Një 60-vjeçar, që dyshohet të ketë ndërruar jetë që prej muajit dhjetor, u zbulua vetëm pak ditë më parë e gjithashtu një tjetër rast, ai i një 70-vjeçari, u evidentua së fundmi nga policia.
Dy jetë të shuara në heshtje,në shtëpi ku nuk trokiti askush.
Ngjarjet kanë ngjallur reagime të shumta, duke risjellë në vëmendje një plagë të madhe shoqërore,vetminë e të moshuarve.
Ky fenomen lidhet me braktisjen,emigracionin e brezave të rinj dhe mungesën e politikave sociale.
Në qarkun Korçë ekziston edhe një shtëpi për të moshuarit, në të cilën çdo vit e më shumë shtohen kërkesat për strehim, kryesisht nga fëmijë që jetojnë në emigracion dhe që nuk kanë mundësi të kujdesen për prindërit e tyre.
Kapaciteti i rezidencës është vetëm 31 persona, një shifër shumë e ulët në krahasim me të moshuarit që e gjejnë veten duke u përballur çdo ditë me sfidën më të madhe: vetminë.
Këto ngjarje janë një këmbanë alarmi për institucionet, të cilat duhet të jenë më të përgjegjëshme kur bëhet fjalë për gjurmimin dhe identifikimin e personave të moshuar që kanë nevojë për ndihmë.